Lajme

Sjedi Hoxha dha dorëheqje nga kryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Memli Krasniqi vjen me një deklaratë

08/09/2021 16:00
nga:Gazeta Blic

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas prezantimit të Ramiz Lladrovcit si kandidat i kësaj partie për kryetar të Drenasit, ka folur edhe për dorëheqjen e Sejdi Hoxhës nga kryetari i degës së partisë, raporton Gazeta Blic.

Sipas tij, çdo kush ka të drejtë të ofrojë alternativë e emra.

“Çdo kush ka të drejtë të mendojë e ofrojë alternativë dhe ne e njohim dhe respektojmë këtë të drejtë. Ne i kemi mirëkuptuar edhe disa anëtarë të Degës dhe individë të tjerë që kanë dalë me propozime për kandidatë. Përballë kësaj situate, ne kemi mirëkuptuar edhe aktin e djeshëm të Kryetarit të Degës, z. Sejdi Hoxha, i cili ka bërë punë të madhe në degën tonë në Drenas. Por ne nuk duhet të harrojmë një gjë. Siç nuk mund të mendohet PDK-ja pa Drenasin, as Drenasi nuk mund të mendohet pa PDK-në. Formati i kësaj lidhje të fuqishme mes PDK-së dhe Drenasit, e tejkalon raportin politik. I tejkalon ambiciet, i tejkalon interesat, sepse është mbi ambicie e mbi interesa. Prandaj para të gjitha këtyre, ne kemi mirëkuptuar qytetarin, nevojat e tij dhe të ardhmen e tij. Prandaj PDK-ja qëndron me qytetarin dhe alternativën për të cilën ai ka nevojë”, tha Krasniqi.

Sipas tij, Ramiz Lladrovci, jo veç që është alternativë, por edhe lokomotivë e zhvillimit.

“Ky është zotimi i tij. Ky është zotimi i PDK-së.Ne kemi përgjegjësi për të qenë bashkë e së bashku ta bëjmë më të mirën për Drenasin. Prandaj ne presim dhe duam t’iu shohim të bashkuar. Sepse vetëm të bashkuar ia kemi dalë. Të bashkuar do t’ia dalim pa asnjë dyshim. Prandaj ju ftoj që të jemi unik dhe të pandashëm, në përgjegjësinë e re që na pret.Ia kemi borxh liderëve tanë që fatkeqësisht nuk janë me ne, që Drenasin ta nxjerrim në tjetër nivel

Pas vendimit të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi që ta kandidoj për kryetar të Drenasit Ramiz Lladrovcin, përkundër strukturave të partisë në këtë degë, ka ardhur edhe reagimi i parë ngë Driton Ajazi, i cili ishte nominuar nga Dega e Drenasit për kryetar Komune.

Ajazi në një deklaratë për Gazeta Blic ka theksuar se ky është një vendim jo i duhur nga ana e Memli Krasniqit.

“Emërimi i kandidturës së Ramiz Lladovcit, është një veprim jo i mirë nga kryetari i partisë. Me këtë vendim, kryetari i partisë vendosi që të dalë kundër veprimeve të strukturave. Ai nuk e mori parasysh vullnetin e strukturave, të cilat më mbështetën mua në garën për kryetar të Drenasit”, ka theksuar Ajazi për Gazeta Blic.

Krasniqi e mbështeti Lladrovcin për kryetar të Drenasit, vjen reagimi i Driton Ajazit: Do t’i shkojmë deri në fund

Përkundër këtij vendimi, ai tha se dega e PDK-së në Drenas nuk do të tërhiqet.

Ai paralajmëroi se kësaj “pune” do t’i shkojnë deri në fund.

“Si degë e PDK-së jemi të unifikuar që ta vazhdojmë garën deri në fund, atëherë adresa e vetme për kryetar të Drenasit jam unë”, tha ai për Gazeta Blic.

Ai paralajmërojë se do ta zyrtarizojnë formatin garues.

“Realisht tash do të shkojmë në një tjetër format. Do të shkojmë me emër të veçantë dhe kjo do të vlejë vetëm në këto zgjedhje”, tha ai.

Ai është shprehur i bindur se do ta fitojë garën zgjedhore, kjo për faktin se sipas tij, Lladrovci për 5 vjet qeverisje e ka shpërfillur vullnetin e qytetarëve.

“Besoj fuqishëm që ne do ta fitojmë garën zgjedhore. Ne e përfaqësojmë elektoratin e PDK-së”, tha ai, duke shtuar se nuk e sheh aspak si kundërkandidat serioz Lladrovcin.

“Ai tashmë është vetëm një ish- kryetar”, tha Ajazi për Gazeta Blic.