Lajme

Situatë alarmante me koronavirus në vend, ish-ministri Zemaj: Krejt për pushtet, asgjë për shëndet!

08/25/2021 20:14
nga:M K

Kosova sot regjistroi një tjetër rekord të zi sa i përket situatës me koronavirus.

Në 24 orët e fundit në vendin tonë, u konfirmuan 2541 raste të reja, teksa numri i viktimave shënonte 14, përcjell GazetaBlic.

Gjatë ditës pati reagime të shumta nga opinioni publik lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike, teksa kanë mbetur edhe shtatë ditë të tjera deri në përfundimin e masave aktuale, e që hynë në fuqi me datën 20 të këtij muaji.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me ish-ministrin e shëndetësisë, Armend Zemaj. Ky i fundit, tha se pushteti aktual nuk po brengoset për këtë situatë alarmante, ndërsa hodhi kritika edhe për konceptin e ekzekutivit në luftimin ndaj Covid-19, duke e mbyllur pjesën e parë të prononcimit me slloganin: “Krejt për pushtet, asgjë për shëndet”.

“Ky pushtet as minimalisht nuk po brengoset për këtë situatë alarmante. Rastet e reja me Covid-19 dhe vdekjet e shumta të qytetarëve tanë nuk po kanë të ndalur. Koncepti dhe filozofia e kësaj qeverie, e me theks të veçantë e ministrit të shëndetësisë, tashmë u konfirmua për të disatën herë me radhë; krejt për pushtet, e asgjë për shëndet”, tha fillimisht Zemaj.

Ish-kreu i dikasterit më të rëndësishëm në vend dhe jo vetëm që nga koha e shfaqjes së koronavirusit, tha se qeveria ka përgjegjësi edhe në faktin se i gënjeu qytetarët, pasi prodhoi siguri të rrejshme, me idenë se “virusi është zhdukur nga Kosova”. Sipas Zemajt, ky qe gabimi, njëherit mëkati më i madh.

“Kjo qeveri, nga neglizhenca dhe vetëkënaqësia i gënjeu qytetarët, ku prodhoi një siguri të rrejshme, me idenë se “virusi është zhdukur nga Kosova”. Ky ishte gabimi dhe mëkati më i madh, i cili edhe e shkaktoi këtë numër të lartë të infeksionit të pakontrolluar, e që po merr jetë njerëzish për çdo ditë”, vazhdoi ai.

Në fund, ai pati kritika edhe për procesin e vaksinimit, duke e etiketuar si tmerrësisht të dobët.

“Ndikim negativ ka edhe menaxhimi i dobët e i ngadalshëm i procesit të vaksinimit të qytetarëve. Po ashtu, duhet theksuar se nuk është përfillur as plani i vaksinimit. Ndër të tjera, kjo qeveri e ky ministër e largoi edhe stafin i cili ishte i angazhuar në menaxhimin e tërësishëm të pandemisë, ndërsa qytetarët tashmë kanë mbetur pa kujdes, pa mbikëqyrje dhe pa ndihmë.Zoti na ndihmoftë!”, përfundoi Zemaj.

/GazetaBlic/