Lajme

Situata në veri, Cakolli: Si do të hapen qendrat e votimit e si do të garantohet siguria – KQZ-së mos t’i lihet faji

12/06/2022 17:21
nga:G B

Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI, ka thënë se KQZ nuk po arrin t’i dërgojë trupat menaxhuese të zgjedhjeve në veri, e aty po dështojnë edhe forcat speciale policore, raporton Gazeta Blic.

Ai ka thënë se duke qenë situata e tillë, si mund të pritet që KQZ të arrijë t’i hapë shkollat dhe qendrat tjera të votimit në ditën e zgjedhjeve dhe si mund të garantohet siguria e komisionerëve dhe si do të mund të votojnë qytetarët pa presion.

Cakolli ka shtuar se ka shumë pyetje të tilla, të cilave është dashur t’u ofrohen përgjigje, para se Presidentja t’i shpallë zgjedhjet.

Ai ka thënë se tentimi për t’ia lënë KQZ-së përgjegjësinë për gjithçka atje është i gabuar.

Postimi i tij i plotë:

Një prej parimeve kyçe ndërkombëtare mbi zgjedhjet është votimi i lirë. E votimi s’mund të jetë i lirë kur ka më shumë policë të angazhuar sesa votues nëpër qendra të votimit.

KQZ-ja nuk po arrin që t’i dërgojë trupat menaxhuese të zgjedhjeve as nëpër objektet përkatëse të KKZ-ve në komunat veriore. Madje, edhe forcat speciale policore po dështojnë në këtë drejtim.

Bazuar në këtë situatë, si mund të presim që KQZ-ja do të arrijë t’i hapë shkollat dhe qendrat tjera të votimit në ditën e zgjedhjeve? Si do të garantohet siguria e komisionerëve, sidomos nëpër zona të largëta në veri? Si do t’u mundësohet qytetarëve votimi pa presione? Si do të garantohet integriteti i rezultateve?

Ka shumë pyetje të tilla, të cilave është dashur t’u ofrohen përgjigje, para se Presidentja t’i shpallë zgjedhjet. Tash, hapësira e veprimit për KQZ-në vetëm po ngushtohet, e mundësitë reale për mbajtjen e zgjedhjeve po zbehen.

Institucionet qendrore nuk guxojnë të jenë indiferente ndaj situatës në terren. Tentimi për t’ia lënë KQZ-së përgjegjësinë për gjithçka atje është i gabuar. Fundja, edhe KQZ-ja e ka të lehtë vendimmarrjen nga Prishtina. Por, çka me ata në veri se?!