SHBA-të janë të shqetësuara, situata në Kosovë është në teh të thikës.
Kështu ka deklaruar zëvendës-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jon Finer.
Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo deklaratë është paralajmërim serioz për mundësinë e esklaimit të tensioneve.
“Deklarata e Jon Finer, zëvendës-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, rreth situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Kosovë, reflekton një shqetësim të vazhdueshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitetin dhe zhvillimet në këtë rajon. Kur ai thotë që “situata në Kosovë është në teh të thikës”, ky është një paralajmërim serioz për mundësinë e eskalimit të tensioneve, për shkak të faktorëve të ndryshëm që janë të pranishëm në rajon, siç janë tensionet mes grupeve etnike, ndikimet e jashtme dhe pasiguria politike”, është shprehur ai.
Sipas Shalës, deklarata mund të interpretohet në disa nivele.
“Ky koment mund të ketë disa nivele të interpretimit dhe duhet marrë në konsideratë në kontekstin e disa zhvillimeve që mund të ndikojnë në sigurinë e rajonit:
- Tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës:
Një nga shqetësimet kryesore për SHBA-në është ndikimi i tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në lidhje me çështje të pazgjidhura, siç janë dialogu dhe statusi i minoritetit serb në Kosovë. Çdo incident apo përshkallëzim i situatës mund të çojë në destabilizim të mëtejshëm.
- Ndikimi i aktorëve të tjerë:
Gjatë viteve të fundit, Rusia dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë kanë përpjekur të ushtrojnë ndikim në Ballkan, duke përfshirë edhe përpjekjet për të ndikuar në qëndrimet e Serbisë dhe të vendeve të tjera të rajonit. Ky ndikim mund të rrisë pasigurinë dhe të komplikojë më tej përpjekjet për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme.
- Siguria e brendshme e Kosovës:
Çështjet e brendshme, si polarizimi politik dhe probleme të tjera sociale dhe ekonomike, mund të përkeqësojnë situatën dhe të krijojnë një mjedis më të pasigurt”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Eksperti i sigurisë po ashtu thotë se SHBA ka interes të madh për stabilitetin e Ballkanit dhe se kjo është sinjal se ata janë të gatshëm të ndërhyjnë për parandalim të përshkallëzimit.
“Në përgjigje të kësaj deklarate, duhet marrë parasysh se SHBA-ja ka një interes të madh për stabilitetin e Ballkanit, dhe kur ata shprehin shqetësime të tilla, kjo nuk është thjesht një vlerësim i situatës, por një sinjal se janë të gatshëm të ndërhyjnë ose të ofrojnë mbështetje për të parandaluar përshkallëzimin”, shton Shala.
Po ashtu, ai thekson se shqetësimi i SHBA-ve duhet të merret seriozisht.
“Për sa i përket shqetësimit, kjo duhet marrë seriozisht. Situata e sigurisë në Ballkan ka një histori të tensioneve të papritura dhe shpesh është e ndjeshme ndaj ndryshimeve politike. Një përshkallëzim i mundshëm mund të ketë ndikime të gjera, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/
Shtëpia e Bardhë: Jemi të shqetësuar, situata në Kosovë është në tehun e thikës