Në Gjakovë, gjendja është stabile dhe e menaxhueshme pas dëmeve të shkaktuara nga reshjet e ditës së djeshme.
Sipas autoriteteve komunale, situata është vënë nën kontroll falë ndërhyrjeve të shpejta të ekipeve emergjente.
Drejtori për Emergjenca në Komunën e Gjakovës ka bërë të ditur se institucionet komunale kanë arritur ta menaxhojnë situatën dhe se aktualisht nuk ka rrezik për qytetarët. Ai theksoi se ekipet kanë qenë në terren që nga orët e para dhe kanë reaguar sipas planit emergjent.
“Duke i pa reshjet edhe situatën e cila ka qenë, ne ja kemi dalë shumë mirë me menaxhuar situatën, edhe po menaxhojmë, po me të vërtet ka dëme shumë të mëdha materiale,” tha Pranush Komoni, u.d. i drejtorit të emergjencave.
Ndërkohë, drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale tha se familjet e prekura janë strehuar në banesa sociale dhe se po u ofrohet mbështetja e nevojshme deri në normalizimin e plotë të gjendjes.
“Ne menjëherë kemi trajtuar rastet të cilat veç kanë qenë në gjendje shumë të rëndë. Të gjitha ato shtëpi që i keni pa nëpër media, jemi përkujdesur që familjet e rasteve emergjente t’i strehonim në banim social,” tha Dafina Kazazi Olloni, u.d. e drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Edhe njësitë e zjarrfikësve kanë konfirmuar se janë në gatishmëri të plotë për intervenim. Sipas tyre, aktualisht po ndërhyhet në shtëpitë e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë për pastrimin e objekteve të përmbytura.
”Për momentin nuk e kemi asnjë zonë të rrezikuar, veç jemi duke intervenuar aty-këtu tek ndonjë shtëpi në ndonjë podrum,” tha Xhevdet Brahimaj, komandant i batalionit të zjarrfikësve në Gjakovë.
Kurse në Junik sot ka filluar pastrimi i rrugës, pas rrëshqitjes së dheut në fshatin Jasiq.
Ndërkohë, sot Komisioni Qendror për Vlerësimin e Dëmeve ka vizituar zonat e përmbytura nga uji në Rahovec, Gjakovë dhe Junik, me qëllim të monitorimit të punës së komisioneve lokale dhe ofrimit të këshillave profesionale për vlerësimin e dëmeve. Vizita është udhëhequr nga kryesuesi i Komisionit Qendror për Vlerësimin e Dëmeve, Kastriot Lajqi, së bashku me anëtarët e komisionit./Rtk/


