Lajme

Situata me vërshime, Fushtica: Duhet të nxjerrim mësim nga gjendja e rënduar në Kosovë

01/08/2026 13:08
nga:Sh R

Drejtori i Emergjencave në Prishtinë, Lulzim Fushtica, ka folur mbi situatën me vërshime në kryeqytetin e Kosovës.

Në emisionin “Kosova Today”, Fushtica tha se situata e rënduar në vend duhet të nxjerrë një mësim për të gjitha komunat, transmeton Klankosova.tv.

“Ma merr mendja që pas kësaj situate të rënduar në gjithë Kosovën, duhet të nxjerrim mësime që nuk i kemi nxjerr më herët”, tha Fushtica.

Ndërkohë, sa i përket komunës së Prishtinës, Fushtica tha se ekipet ishin të përgatitura qysh para nisjes së reshjeve të dendura.

“Ne në Prishtinë kemi dalë shumë më mirë. Kjo fal përgatitjeve që i kemi bërë shumë më herët, për arsye që kemi bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Institutin Hidrometeorologjik, pra i marrim informatat në kohë reale, dhe kemi bërë përgatitje dhe investime në dy vitet e fundit”, tha ai.

Sa i përket dëmeve nga reshjet e dendura në Prishtinë, Fushtica tha se kryeqyteti shpëtoi pa dëme të mëdha.

Ndërkohë eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, bëri të ditur se qyteti i Mitrovicës ka qenë më i rënduar nga situata e vërshimeve.