Lajme

Situata e sigurisë në veri e qetë por delikate, Elshani flet për gjendjen te Ujmani pas shpërthimit

07/31/2024 18:26
nga:N K

Pjesa veriore e Kosovës është një ndër zonat që ballafaqohet nga sfida e tensione të vazhdueshme.

Shpeshherë këto rezultojnë me “përplasje” duke shkaktuar shqetësime të mëdha për sigurinë e qytetarëve dhe zhvillimet e ndryshme të këtij rajoni.

Derisa, mbi këtë situatë dhe sigurinë aktuale të vendit, në një prononcim për GazetaBlic, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, është shprehur se situata aktuale qëndron e qetë, por, që sipas tij është delikate duke marrë parasysh të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur nga viti 2022 e deri më tani.

“Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, mirëpo, është delikate duke marrë parasysh zhvillimet që nga viti 2022 e deri më tani. Konsiderohet që Policia e Kosovës ka qasje në secilin vend të veriut të vendit, duke ofruar shërbime për qytetarët e vendit”, tha Elshani.

Rikujtojmë se ngjarjet e fundit në veri përfshijnë dy shpërthime, njëra në Liqenin e Ujmanit e tjetra në embëltoren “Shak”.

E, këto shpërthime sipas Elshanit, nuk kanë ndikuar që të ketë numër më të vogël të vizitave në Liqenin e Ujmanit, përkundrazi, është shtuar numri i vizitorëve, sidomos gjatë këtij vikendi.

Ai thotë se ne nuk i inkurajojnë qytetarët që të vijnë në Liqenin e Ujmanit, por, as nuk iu thonë që situata nuk është aq e mirë që ata mos të jenë prezent.

“Jo, nuk ka ndikuar, për arsye se edhe pas shpërthimit që ndodhi te Ujmani, kemi pas vizita të shumëta sidomos këtë vikend. Në atë pjesë e kishim edhe ceremonin për ditën e policëve të rënë në detyrë. Kështu që, ka pasur numër shumë të madh. Zakonisht, qytetarët vijnë në Ujman ditëve të vikendit, nuk do të thotë qe ne i inkurajojmë ata për me ardhë, ose nuk thojmë që situata e sigurisë nuk është aq e mirë që ata mos me ardhë, sidoqoftë, qytetarët duhet me pas kujdes kur vijnë dhe kur e frekuentojnë Ujmanin”, deklaroi zëvendësdrejtori Veton Elshani.

Tutje, ai shton në rast se ndodh diçka e papritur janë të koordinuar për reagim së bashku me njësitë policore, njësitë e kufirit, njësitë speciale e policinë e rendit.

Ndërsa, Drizan Shala, ekspert i sigurisë, thekson për GazetaBlic, se që nga ngjarja e shpërthimit të Liqenit të Ujmanit ka mbetje të grupeve kriminale që synim e qëllim kanë destabilizimin e pjesës veriore të vendit.

“Situata nga kjo ngjarje po dëshmon që pjesa veriore ka mbetje të grupeve kriminale që për synim dhe qëllim kanë destabilizimin e pjeses veriore për të mbajtur gjallë narrativën e Beogradit zyrtar dhe tentativën për të nxitur mbështetjen të pjesa e komunitetit serb, të cilët tani janë kthyer në drejtim të bashkëpunimit me insititucionet tona vendore të Kosovës”, tha ai.

Gjithashtu, Shala vlerëson se personi i dyshuar me mënyrën se si ka vepruar, e dëshmon që ka njohuri të përdorimit të mjeteve eksplozive, që sipas tij, trajnimin e përdorimit të këtyre mjeteve e ka kryer pjesa ushtarake e Serbisë.

“Personi i dyshuari në bazë asaj se si ka vepruar po dëshmon që ka njohuri në përdorim të mjeteve eksplozive dhe që trajnimi i bërë sipas gjitha gjasave është kryer në pjesën ushtarake të Serbisë e cila ka këtë plan të sajin, që të ndërhyn në territorin e Kosovës përmes veprimeve diverzante të strukturave serbe”, përfundoi Shala.

/GazetaBlic/