Lajme

Sinoptikanët: Stuhia Ciaran po e humb fuqinë

11/04/2023 15:44
nga:Y I

Stuhia Ciaran e pati fuqinë mesditën e së premtes në Shqipëri. Këtë të shtunë situata u qetësua.

“Stuhia Ciaran, që goditi territorin shqiptar gjatë ditës së djeshme është duke u degraduar, duke bërë që të largohet nga territori shqiptar”.

Stuhia solli reshje me intensitet të lartë kryesisht në Ultësirën Perëndimore. Por kjo e shtunë e përmbys situatën.

“Reshjet e shiut do jenë prezente, por në sasira më të pakta dhe të fokusuara kryesisht në zonat lindore.”

Të dielën në orët e para të ditës, moti parashikohet i qëndrueshëm për zonat jugore dhe qendrore ndërsa në veri priten reshje të pakta shiu.

“Pjesa e dytë e ditës së diel do të rizhvillojë vranësirat, duke bërë që të kemi reshje shiu në të gjithë territorin shqiptar, në sasira të pakta dhe me intensitet mesatar. Ndërsa zonat veriore pritet të kenë rrebeshe shiu sërish.”

Të dielën problematike pritet të jetë era, shpejtësia e të cilës mund të shkojë mbi 65 km për orë. Reshjet e shiut kanë ulur ndjeshëm edhe temperaturat në vend.

“Rënia e temperaturat, maksimumi nuk shkon më shumë se 18 gradë, deri në 19 të dielën. Fillimjava sjell një rritje me 2 apo 3 gradë.”

Javën e ardhshme sinoptikanët parashikojnë përmirësim të kushteve të motit.