Lajme

Sinani: Rezoluta amerikane ka ndërkombëtarizuar çështjen e shqiptarëve të Luginës

01/27/2026 22:31
nga:Sh R

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vlerësuar si tejet të rëndësishme dhe me peshë të madhe Rezolutën amerikane për Luginën e Preshevës, duke theksuar se përmes saj është arritur ndërkombëtarizimi i çështjes së shqiptarëve në këtë rajon.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Sinani ka deklaruar se Beogradi zyrtar po përdor metoda perfide të spastrimit etnik në heshtje, të cilat, sipas saj, po zbatohen kryesisht përmes procesit të pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Ajo ka shprehur shqetësimin se situata mund të përkeqësohet edhe më tej, duke përmendur përgatitjet në Kuvendin e Serbisë për propozimin e Ligjit për shërbimin ushtarak, i cili, sipas Sinanit, pritet të ketë pasoja edhe më të mëdha dhe të nxisë një shpërngulje masive të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.

“Beogradi zyrtar po përdor metoda perfide të spastrimit etnik në heshtje dhe, realisht, përmes pasivizimit ka arritur rezultate të dukshme kohëve të fundit. Ajo që është edhe më shqetësuese dhe aktuale është përgatitja në Kuvend e propozimit të Ligjit për shërbimin ushtarak, i cili pritet të ketë pasoja edhe më të mëdha dhe të nxisë një shpërngulje edhe më të madhe masive”, ka deklaruar Sinani.

Ajo ka theksuar se lobimi i vazhdueshëm me dy senatorë amerikanë, veçanërisht përmes letrave drejtuar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, si dhe Rezoluta e fundit e propozuar nga kongresisti Keith Self, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Për ne kjo rezolutë ka një rëndësi dhe peshë shumë të madhe, sepse ka arritur të ndërkombëtarizojë dhe të senzibilizojë çështjen për afirmimin e të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka përfunduar Sinani.