Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, foli për mikrofonat e “Sky” pas humbjes 2-1 kundër Real Madridit në ndeshjen e parë të 1/8-ve finale të Ligës së Kampionëve.
Cilat janë ndjesitë pas kësaj ndeshjeje?
Ishte një ndeshje shumë taktike, të dyja skuadrat prisnin momentin e tyre. Ata na goditën shumë mirë në aksionin e parë, por më pas patëm një reagim të madh. Ekipi im filloi të luante dhe të ndjente se ndeshja po ndryshonte. Erdhi goli spektakolar i Alvarez dhe më pas kombinimi mes tij dhe Lino nuk u finalizua për shkak të ndërhyrjes së Valverdes. Përfundimi i pjesës së parë ishte pozitiv për ne. Në pjesën e dytë e nisëm me të njëjtin ritëm dhe krijuam një rast të mirë, por më pas ata shënuan një gol të shkëlqyer me Brahim, ndaj të cilit mund të kishim bërë më mirë. Nga ai moment, ndeshja mori një tjetër rrjedhë. Nëse pëson golin e tretë, bëhet e vështirë, por nëse barazon, është më mirë. Në fund luajtëm me tre sulmues dhe forcuam mbrojtjen me Le Normand. Patëm një rast që mund të kishte ndryshuar gjithçka për sfidën e së mërkurës së ardhshme.
A mund të rrezikonit më shumë në sulm?
Ndoshta e tepruam me mbajtjen e topit. Në zonën e fundit kemi lojtarë që mund të shkojnë një kundër një dhe të japin krosime. Ekipi u përpoq ta menaxhonte lojën, por në fund do të më kishte pëlqyer të shihja më shumë rrezik në sulm.
Në total, si e vlerësoni këtë disfatë 2-1 në “Bernabeu”?
Konkurruam mirë, përveç atij aksioni të fundit, ku rrezikuam të na shënonin golin e tretë. Ishte një top i rikuperuar nga ata në të djathtë, me Mbappé dhe Vinicius që mund ta shtynin Brenda në rrjetë. Ky gabim i tyre na jep shpresë, lë një derë të hapur për atë që vjen.