Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka theksuar se gara për titullin e LaLiga është ende e hapur, pavarësisht se skuadra e tij ndodhet shtatë pikë pas Barcelonës që e kryeson tabelën.
Argjentinasi beson se gjithçka do të vendoset në fazën përfundimtare të kampionatit.
“Mendoj se pesë ndeshjet e fundit janë ato që vendosin sezonin, dhe ata që mbërrijnë me mundësi reale, do të jenë ata që do të garojnë për objektivin”, ka deklaruar Simeone.
Atletico vjen pas një disfate të rëndë 4-2 ndaj Barcelonës më 16 mars, por trajneri pesëdhjetë e katër vjeçar është i bindur se skuadra e tij mund të rikthehet. Ai gjithashtu ka paralajmëruar se Espanyol, pavarësisht se renditet në vendin e pesëmbëdhjetë, nuk duhet të nënvlerësohet.
“LaLiga është e vështirë kudo, të gjithë luajnë mirë, askush nuk luan keq, secili ka momentin e tij… Ne gjithmonë shikojmë të tashmen dhe e tashmja është Espanyol”, ka shtuar ai.
Simeone është shprehur optimist për rikthimin e Atletico në formë, duke theksuar se ekipi ka treguar përkushtim edhe ndaj kundërshtarëve të fortë. “Kundër Barcelonës bëmë një përpjekje të madhe, por aftësia e kundërshtarit mundi të na mposhtte… Por tani jemi kthyer”, ka thënë ai.