Sporti

Simeone: Djali më do përballë, si arrij t’i motivoj lojtarët edhe pas 12 vitesh

12/14/2023 11:19
nga:Mergim Rreci

Atletico Madrid mposhti 2-0 Lazion në “Wanda Metropolitana” dhe siguroi vendin e parë në grupin E të Champions League. Që do të thotë një short disi më i pranueshëm në raundin e 1/8-ve.

Pas fitores ndaj ish-skuadrës së tij, Diego Simeone mund të gjejë në duelet me eliminim direkt Napolin e djalit të tij Giovanni. Ose Interin, një tjetër ekip ku ka luajtur si futbollist.

“Djali im dëshiron një përballje Atletico-Napoli. Giovanni po luan më pak se vjet, por Napoli është një skuadër e madhe, që vjet zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm.

Pastaj është edhe Interi… Çdo kundërshtar është i vështirë. Duhet të vrapojmë, të luftojmë dhe të luajmë me përulësi”, thekson “El Cholo”, i cili ka mbërritur dy herë në finale me Atleticon e tij.

“Ka mënyra të ndryshme për të fituar, por lojtarët që kemi sot kërkojnë që të luajmë kështu siç po luajmë. Ardhjet e reja na lejojnë të kemi më shumë cilësi duke përfituar nga loja e mirë e të gjithëve.

Si ia dal t’i motivoj lojtarët pas 12 viteve si trajner i Atleticos? Unë jetoj dhe e shijoj çdo ditë, jam i lumtur ku jam. Kam një klub që mund të japë akoma më shumë.

Dhe që ka nevojë për rezultate që të rritet, ky është një stimul shumë i madh. Unë dua të krijoj një klub edhe më të fortë në Europë”, deklaroi tekniku argjentinas.