Lajme

Sillet në Gjykatë ish-polici Aleksandër Vlajiq i arrestuar për spiunazh

06/28/2024 12:13
nga:Sh R

Ish-polici Aleksandër Vlajiq, i arrestuar për spiunazh është sjellë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndaj të njëjtit, tanimë nga ana e Prokurorisë është bërë kërkesa për paraburgim.

Për rastin, pritet të mbahet seanca dëgjimore.

Vlajiq, shtetas serb i Kosovës, nuk është thjesht një i arrestuar për spiunazh në Kosovë.

Veprimtarinë e tij kundër shtetit të Kosovës arriti ta zbulojë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Këto informata bën që veprimtaria e Vlajiq të demaskohet tërësisht.

Këto detaje janë shpalosur ekskluzivisht nga emisioni “Debat Plus”.

Siç mëson Dukagjini nga burimet brenda organeve të sigurisë, ai ishte hiç më pak se agjent rezident i BIA-s, që e spiunonte Kosovën. Për ta sqaruar për publikun, kjo nënkupton nivelin më të lartë të një agjenti brenda inteligjencës së një shteti.

Lexo edhe: Kush është Aleksandër Vlajiq me nofkën “snajper”, i arrestuar për spiunazh? Flet ish-hetuesi i policisë

Vlajiq, në mes akteve që ka kryer në Kosovë, gjithashtu ka filmuar fshehurazi lëvizjet dhe automjetet e Policisë së Kosovës, misionit të KFOR-it dhe ndërkombëtarëve, gjithmonë në dobi të shërbimit serb BIA.

Ai në të kaluarën ishte pjesë e MUP-it serb, ndërsa kur ishte integruar në institucionet e Kosovës mbante një post të rëndësishëm në Institucionin e Policisë, duke punuar në njësinë e inteligjencës rajonale të policisë në Mitrovicë të Veriut. Sa mbante këtë pozitë ai ishte angazhuar në mbledhje të informacioneve për personat të cilët kanë qenë predikues të fesë islame.

Vlen të theksohet se informatat që rezultuan me identifikimin dhe kapjen e tij u dhanë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).