Lajme

Sijarto: Brukseli po gabon që nuk po përshpejton integrimin e Ballkanit Perëndimor

04/05/2022 14:13
nga:Astrit Gashi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, Peter Sijarto, deklaroi sot në Mostar se integrimi i ngadalshëm i Ballkanit Perëndimor në BE është i papranueshëm dhe se Brukseli po bën një gabim strategjik, pasi që nuk po përshpejton procesin integrues.

“Ne, qytetarët e Evropës Qendrore, kuptojmë dhe përjetojmë rëndësinë e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Na vjen keq që disa anëtarë të BE-së dhe Brukseli nuk po ndajnë gjithmonë këtë mirëkuptim,” tha Sijarto.

Ai theksoi se një sjellje e tillë e Brukselit është jashtëzakonisht e dëmshme në aspektin e stabilitetit rajonal.

“Prandaj, ka ardhur koha t’i themi Brukselit se ‘ja vlen të zbresësh nga shala e lartë’ dhe se nuk është më koha për deklarata arrogante. Nuk duhet të flasim kaq shumë me liderët e Ballkanit Perëndimor, por të konsultohemi me ta. Ne duhet të bëjmë përpjekje, të vijmë këtu dhe të kuptojmë situatën “, tha Sijarto.

Ai vuri në dukje se partia qeverisëse Fidesz në Hungari fitoi zgjedhjet parlamentare për herë të katërt të dielën dhe se me një shumicë të siguruar prej dy të tretash, do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet midis Hungarisë dhe Ballkanit Perëndimor.