Lajme

“Siguroji votat nëse dëshiron të zgjidhesh” – Haliti: Mesazhi i Kurtit për zgjedhjet i drejtohet Vjosa Osmanit

01/06/2026 16:43
nga:Genita C

Xhavit Haliti, PDK, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të reja në prill për shkak të çështjes së presidentes.

Haliti për GazetaBlic tha se Kurti ka folur në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, por theksoi se deklarata e tij ka një mesazh politik.

Sipas Halitit, ky mesazh më shumë i drejtohet presidentes, duke i bërë të qartë se për t’u zgjedhur ajo duhet t’i sigurojë 80 votat e nevojshme në Kuvend.

Ai shtoi se viti aktual do të jetë vit i sfidave dhe presioneve të mëdha, andaj sipas tij, Kosovës i duhet një koalicion i gjerë me mbi dy të tretat e votave dhe një president konsensual, i përkushtuar ndaj angazhimeve në vend.

“Duhet analizuar se kujt i drejtohet ai mesazh: partisë së tij, partive opozitare, njërës në veçanti apo Presidentes, e cila dëshiron ta ruajë pozitën, por në sallën e mbledhjeve të Kuvendit duhet t’i ketë tetëdhjetë deputetë. Më shumë i besoj kësaj të fundit. Pra, ai i thotë Presidentes: siguroji votat nëse dëshiron të zgjidhesh. Por ajo që unë mendoj dhe besoj se edhe Albini dhe të tjerët e kanë parasysh, është se ky vit do të jetë vit i sfidave të mëdha, vit i presioneve dhe vendimeve të përgjegjshme. Prandaj, do të duhej të kishim një koalicion të madh me më shumë se dy të tretat e votave dhe një President konsensual, me qëllim që të jetë i përkushtuar dhe i angazhuar për Kosovën”, tha Haliti për GazetaBlic.

A ekziston mundësia që të ketë sërish zgjedhje? – Flasin analistët, komentojnë deklaratën e Albin Kurtit