Lajme

Siguria publike po vlerësohet kaotike, kërkohen masa preventive

08/09/2023 14:45
nga:N M

Siguria publike në vend po vlerësohet se është një në situatë kaotike për arsye të zhvillimeve të fundit që e kanë tronditur opinionin publik.

Ekspertët e sigurisë, duke folur për Radio Kosovën, bëjnë thirrje për veprime të shpejta, ndryshe sipas tyre, siguria publike do të dalë jashtë kontrollit.

Siguria publike në Kosovë nga ekspertë e nga përfaqësues të organizatave që merren me çështje të sigurisë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme. Duke folur për Radio Kosovën, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se ka një neglizhencë institucionale të tre mekanizmave kyçë: të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, për ruajtjen e sigurisë publike në vend.

“Pra, nëse nuk do të kemi një masë preventive për sa i përket avancimit të mëtutjeshëm të sigurisë publike, situata do të na dalë nga kontrolli dhe do të jetë e vështirësuar për rikthim. Kjo është si rezultat i fokusit politik të qeverisë aktuale duke e dislokuar 80 për qindëshin e forcave të rendit në pjesën veriore që nga 2021-ta. Kemi një mangësi efektive të çdo zyrtari policor në pjesë të kryeqytetit dhe qytetet e tjera, dhe kjo u jep indikacion grupeve kriminale që mund të lëvizin pa u diktuar, penguar dhe pa u kontrolluar nga mekanizimi i Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ndërsa, Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radio Kosovën se rastet e fundit, tregojnë se sistemi gjyqësor ka dështuar.

“Në rastet e fundit, po bëhet fjalë për njerëz që kanë precedentë kriminalë dhe këtu nuk ka të bëjë me masa të sigurisë, por me gjyqësorin i cili në një masë të madhe vazhdon të jetë zhgënjyes për qytetarët, për shkak se këta persona në mënyrë të vazhdueshme, kanë qenë mbase të arrestuar dhe kanë arritur që të dalin jashtë, duke i përdorur shantazhet e tyre që i kanë në prokurori e gjyqësor”, tha Vrajolli.

E sot kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se janë duke e strukturuar procesin e bashkëpunimit me institucionet e sigurisë, derisa përsëriti se është e domosdoshme policia e kryeqytetit.

“Problemi ekziston dhe si ta zgjidhim që tash e tutje të mos zmadhohet. Nga të dhënat që kam marr nga Policia, theksojnë se pas orës 12:00 të natës, çdo i dyti apo i treti automjet që sillet në Prishtinë është i armatosur. Është alarmante! Mund të zgjidhen dhe duhet zgjidhur dhe duhet të japin përgjegjësi ata që i lejojnë të lirë këta njerëz që ndryshe duhej të ishin të burgosur”, tha Rama.

Sidoqoftë, Ministria e Punëve të Brendshme ka të hartuar strategjinë e Sigurisë në Kosovë për vitin 2022-2027, ku ndër të tjera synohet përmirësimi i sistemit të drejtësisë dhe avancimi i politikave me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe efikasitetit të Policisë së Kosovës, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se rasti i fundit në kryeqytet, në Klinë e raste të tjera, do të duhej të bënte që niveli politik të reflektonte përmes dorëheqjes së ministrave të dikastereve ku institucionet e sigurisë kanë dështuar.

Udhëzimi administrativ për kryetarët e veriut, Ibrahimi: Kjo Qeveri po mundohet të zbulojë ujin e nxehtë