Lajme

Siguria në veri/ Ekspertët e sigurisë: Zgjedhjet mund të shtyhen – të merren seriozisht thirrjet e krerëve të shtetit për sulme nga Serbia

01/16/2024 22:14
nga:G B

Dy persona kanë mbetur të plagosur në Mitrovicën e Veriut, pas një shpërthimi të një granate dore në orët e vona të së hënës.

Nga Policia e Kosovës thanë se nuk besojnë se ky shpërthim është i lidhur me çështje etnike, ndërsa që janë identifikuar dy të dyshuar për sulmin.

Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar shtatë vetura.

Sulmet në veri të vendit nuk janë të rralla, derisa siguria ende konsiderohet e brishtë në atë pjesë.

Për sulmet e tilla, motivet e sigurinë në veri, sidomos tani kur kanë nisur peticionet për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore dhe situatën e sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, për Gazeta Blic kanë folur ekspertët e sigurisë.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, thotë për Gazeta Blic se ky sulm i fundit mund të jetë brenda grupeve kriminale.

“Mund të themi se ky veprim i brendshëm është veprim mes grupeve kriminale serbe që për qëllim kanë pasur qërimin e hesapeve për shitblerjen e substancave narkotike. Në fillim pati raportime se ka qenë një konflikt ndëretnik, ku më pas Serbia mund ta përdorte për qëllime të veta politike, por nga informacione që i ka marrë Policia e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë, del se ka pasur konflikt mes të njëjtit komuniteti, atij serb, dhe si pasojë njëra palë ka përdorur mjete ushtarake – granatë dore, duke tentuar të shkaktojë humbje në grupacionin tjetër”, thotë ai.

Sipas Shalës, Beogradi tashmë ka ndikim minimal në veri dhe Policia në javët në vijim do të ketë aktivitete të caktuara në luftimin e grupeve kriminale.

“Ndikimi i Beogradit në veri ka rënë në minimal dhe grupi i Radojçiqit nuk është aktiv brenda territorit të Kosovës. Çka vlen të theksohet është se Policia e Kosovës tanimë situatën e ka nën kontroll dhe në javët në vijim pritet të kemi aktivitete të caktuara në luftimin e grupeve kriminale që kanë rënë ndesh me normativën dhe situata për shkarkim të kryetareve nuk mund të ndikojë në cenimin e sigurisë në atë pjesë sepse s’ka ndikim më sikur kishte Beogradi”, vlerëson eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.

Ai paralajmëron se Serbia do të bëjë nxitje përmes pakënaqësisë së qytetarëve, derisa të mbahet takimi në Davos të Zvicrës.

“Derisa të mbahet takimi në Davos të Zvicrës, situata do të jetë e tensionuar dhe Serbia do të tentojë në formacione të caktuara të nxisë, të reagojë në forma pakënaqësie qytetarë në raportim me gjithë sistemin dhe qëndrimet politike të Republikës së Kosovës”, potencon Shala.

Sipas tij, zgjedhjet mund të shtyhen nëse vlerësohet se nuk mund të mbahen për shkak të sigurisë në veri.

“Në rast se vlerësohet që mbajta e zgjedhjeve nuk mund të mbahen si pasojë e zhvillimeve në siguri, atëherë do të kemi shtyrje të tyre derisa të mund të kemi atmosferë për mbajtje, por që organet e sigurisë e kanë dëshmuar që mund të organizojnë zgjedhjet në atë pjesë, edhe në bazë të kërcënimeve që ishin nga grupi terrorist i Milan Radojçiqit”, deklaron Drizan Shala.

Ndërsa, Armend Halimi nga Instituti për Studime te Sigurisë, thotë për Gazeta Blic se shpërthimi sipas policisë s’ka të bëjë me ngjarje politike, por seriozisht duhet marrë deklaratat e krerëve të shtetit për sulme nga Serbia.

“Sa për shpërthimin e mbrëmshëm, siç raportuan Policia, kemi të bëjmë me një rast kriminal, e që nuk ka ndërlidhje me ngjarjet politike. Serioze duhet marrë deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, pasi vlerësoj se kanë një bazë të fortë, sidomos e kryeministrit dhe presidentes, duke pasur parasysh se nuk guxojnë të dalin mbi bazën e hamendësimeve apo paragjykimeve”, shprehet ai.

Halimi thekson se deklaratat e tilla për sulme vijnë nga informata inteligjente nga terreni dhe duhet marrë seriozisht edhe nga ndërkombëtarët.

“Andaj, thirrjet e vazhdueshme të kryeministrit të Republikës së Kosovës për mundësinë e një sulmi apo sulmeve të reja, qoftë terroriste apo të agresionit të hapur nga Serbia, vijnë si rezultat i informatave inteligjente nga terreni, çka edhe duhet të merren seriozisht nga vendorët e ndërkombëtarët. Krejt këtyre deklaratave ju paraprijnë siç e thamë burime të sakta nga terreni, gjersa sipas legjislacionit, shefi i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, AKI, është njëkohësisht edhe këshilltar për siguri i kryeministrit dhe presidentes”, potencon ai.

Halimi beson se institucionet vendore të jenë në koordinim me ndërkombëtarët për ndonjë sulm nga Serbia.

“Besojmë që institucionet tona shtetërore janë në koordinim të vazhdueshëm me mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, çka edhe kanë rritur numrin e pjesëtarëve për të menaxhuar pasigurinë eventuale që mund të vije nga Serbia e Vuçiqit, me ndonjë metodë putiniste për të shndërruar veriun në vatër konflikti, e që të aneksohet pastaj, apo edhe me anë të akteve terroriste, gjë që shpresojmë bashkësia ndërkombëtare nuk do falë, ndryshe do të ishte absurde dorëzimi ndaj një Serbia gjenocidiale dhe përgjegjëse e së kaluarës dhe të tashmes”, deklaron Armend Halimi./Gazeta Blic/