Lajme

Siguria në punë mbetet sfidë për punëtorët kosovarë

11/09/2024 22:16
nga:Sh R

Pa rrethoja sigurie, pa litar të lidhur e të tjera, puna po vazhdon por jo siç ua garanton Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, i cili rrallë gjen zbatim.

E njësoj po punohet edhe në qendër të kryeqytetit ku punëtorët në skaj të pllakës, po bartin mjete të rënda.

Se niveli i sigurisë ndër vite nuk ka pasur ndonjë rritje të madhe, thonë edhe ekspertë të sigurisë në vendet e punës.

“Në çdo vend pune, para se të nisë puna duhet të merret masat e sigurisë për mbrojtjen e punëtorëve. Kjo është barrë e punëdhënësit. Në rastin konkret, s’është dukuri e mirë. Në lartësi të larta rrezikohen të gjithë. Kjo tregon që masa s’merren, dhe duhet ndërpritur puna. Të merren masat së pari pastaj duhet të vazhdojë puna”, ka thënë Naim Bajraktari, ekspert i sigurisë në vendet e punës.

E sipas tij, i nevojshëm mbetet një inspektim për ngritje të vetëdijësimit mbi rëndësinë e sigurisë.

“Punëdhënësit shpeshherë nuk marrin përgjegjësi. Ndërgjegjësimi është i ulët. Kjo u mbetet organeve shtetërore, inspektoratit të punës të cilët duhet të kontrollojnë, të japin këshilla, vërejtje e besa edhe gjoba. Varësisht nga mosmarrja e masave dhe bazuar në ligj. Këtë e bëjnë por inspektorët kanë numër të vogël, s’mund ta përfshijnë vendin e edhe vetëdijësimi mbetet i ulët. Duhet bashkëpunim i shtetit me punëdhënësit, këtu po çalon kjo. Kemi kompani të mëdha që dëgjojnë për të parën herë masat e sigurisë në punë“, ka thënë Naim Bajraktari, ekspert i sigurisë në vendet e punës.

E kjo shqetësuese mbetet për Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat.

“Punëtorët e sektorit privat të Kosovës vetëm Zoti di t’i ruaj. Përndryshe, nuk kanë rojë, s’kanë mbikqyrje, s’kanë performancë nga asnjë akter që thirret për ta mbrojtur sigurinë dhe shëndetin në punë të tyre. Janë pa pajisje adekuate dhe pronarët e kanë vetëm një qëllim, si ta përfundoj punën më shpejtë! Rreth 10 punëtorë kanë humbur jetën këtë vit…“, ka thënë Jusuf Azemi, Kryetar i Sindikatës.

Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje nga Inspektorati i Punës lidhur me inspektimet por edhe me numrin e punëtorëve të lënduar e të vdekur, por lidhur me këtë nuk ka marrë përgjigje.

Vitin e kaluar, 11 punëtorë vdiqën në vendin e tyre të punës ndërsa, 330 të tjerë pësuan lëndime./Dukagjini