Zgjedhjet Lokale

Sibel Halimi: Në komunë do të hyjmë me konceptin e barazisë

10/03/2021 17:10
nga:Q R

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetare të Ferizajt, bashkë me kandidatet për Kuvendin Komunal, në prani të Nënkryetares së LDK-së, Shqipe Mjekiqi, Kryetares së Forumit të Gruas, Lirije Kajtazi dhe ish-deputetes Besa Gaxherri, shpalosi programin qeverisës.

“Takimi i sotëm sa ishte frymëzues ishte edhe emocionues. Gratë kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë prioriteti im”, potencoi Halimi.

Sipas saj, praktikat e kaluara në Komunën e Ferizajt kanë pasqyruar një mungesë të thellë të përfshirjes gjinore.

Halimi, tha se kemi përgatitur strategji të veçantë për fuqizimin ekonomik dhe punësimin e grave, ku shtoi se bizneset që udhëhiqen nga gratë do ta kenë mbështetjen e plotë të komunës e prioritet në subvencione do të kenë bizneset që punësojnë gra.

Më tej, Halimi spikati edhe disa pjesë nga programi qeverisës, si:

-Bursa për nxënëset, praktika në sektorin publik e privat dhe transporti pa pagesë do të jenë shtytje që vajzat të mos e braktisin shkollimin.

-Financimi i strehimoreve, angazhimi i psikologëve e punëtorëve social në institucionet arsimore e qendrat sociale do të jetë masë urgjente që do ta ndërmarrim në parandalimin e dhunës në familje.