Zgjedhjet Lokale

Sibel Halimi: Do të ketë drunjë në çdo lagje dhe hapësira të reja gjelbëruese

10/07/2021 15:30
nga:Gazeta Blic

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi, ka prezantuar programin qeverisës për mbrojtjen e mjedisit, ambientin e pastër dhe gjelbërimin.

“Problemi me mbeturina është një nga problemet kryesore të qytetit tonë. Banorët e Ferizajt hyrjet e shtëpive i kanë të shndërruara në deponi të mbeturinave. Era që kundërmon nga grumbullimi i tyre e ka vështirësuar jetën për qytetarët tanë.

Projekti ynë për mbeturinat parasheh klasifikim dhe riciklim të të gjitha mbeturinave”, ka thënë Halimi.

Ajo, më tej ka theksuar se, Ferizaj brenda katër viteve do të bëhet qyteti i parë në Kosovë dhe më gjerë që të gjitha mbeturinat do të riciklohen, dhe shtoi se mbeturinat do të jenë në kompani të riciklimit e asnjëherë në dyert e shtëpive të qytetarëve.

“Betonizimi i Ferizajt e ka ngulfatur qytetin, objektet e ndërtuara pa kritere për hapësira të gjelbëra e kanë shndërruar Ferizajn në një qytet të zymtë”, ka potencuar Halimi.

Në fund, ajo premtoi se do të ketë drunjë në çdo lagje të qytetit dhe hapësira të reja gjelbëruese në të gjithë qytetin.