Showtime

Si u krijua “Xhamadani vija-vija” për Kosovën? Kompozitori tregon se Shkurte Fejza u habit kur e dëgjoi

10/18/2024 08:23
nga:N K

Zef Çoba vjen në Euronews Albania me një rrëfim që na kthen pas në kohë në Shkodër, pikërisht aty nga nisi dashuria e tij për artin dhe muzikën.

Kompozitori i famshëm ka treguar se si u krijua kënga “Xhamadani Vija Vija” për Shkurte Fejzën në vitin 1992 dhe si u kthye në himnin shpirtëror të shqiptarëve.

Ai ka treguar gjithashtu se fillimisht kjo këngë ka pasur një titull tjetër, e jo titullin me të cilin e njohim të gjithë.

“Kjo ishte kënga e parë që bëmë në ’92-shin, Pastaj e pasuruam me këngë të tjera e bëmë një album me titullin që mbante kjo këngë në atë kohë. jemi në ’92-shin dhe titulli i këngës ishte “Kam një lot m’pikon si ar” sepse realitetet gjeopolitike ishin të tjera në atë kohë, aspiratat ishin për pavarësi që erdhi vite më pas. Titulli “Kam një lot m’pikon si ar” përligjte situatën e kohës. Më pas vetë populli e thërriste “Xhamadani vija-vija”. Në fakt unë e kam tërhequr vëmendjen, se në Xhamadanin vija-vija është Kosova është Shqipëria”,-tha Çoba.

“Unë pata një moment në fakt që la gjurmë të forta në psikikën dhe ndërgjegjen timen. Në 1990 unë bëra një turne në Zvicër. Para ndryshimeve politike, në bëmë një turne për një muaj. Në atë kohë në Zvicër jetonin 60 mijë shqiptarë të Kosovës dhe impresionet e mia në këto kontakte kanë qenë të jashtëzakonshme. Dy vite më pas mu kërkua të kompozoj nga këngëtarja e mirënjohur shkurte Fejza, një këngë. Unë isha gati! Kënga është kompozuar brenda disa orëve me tekst dhe me muzikë. Unë zgjova nga gjumi poetin dhe në 5 të mëngjesit kënga ishte e përfunduar komplet. Kur Shkurta erdhi nesër në mëngjes në orën 9 e pyeti si do ia bëjmë këngës, unë këngën e kisha të përfunduar. Pra është një rrufe, një frymëzim, që më gjeti plot dhe këtu nuk ka asnjë citim,. janë të gjitha origjinale”,-tha Çoba.