Sot në pikën kufitare në Vermicë janë kapur gjashtë emigrantë që po kalonin kufirin ilegalisht.
Arbër Telaku , komandant i Policisë Kufitare në Vermicë, tha se emigrantët janë kapur rreth orës 5 e 30 në këtë pikë kufitare, të cilët po transportoheshin me një autoambulancë.
“Rreth 5 e 30, njësitet e stacionit për mbikëqyrje kufitare në Verimicë, gjatë detyrave operative kanë vërejtur lëvizje të dyshimta në brezin kufitar dhe gjersa kanë qenë në vëzhgim të tyre, në hyrje të autostradës është vërejtur një automjet tjetër, që dukej si autoambulancë dhe gjashtë emigrantë të huaj, tre sirianë dhe tre nga baglladeshi futen shpejt në këtë automjet, menjëherë kanë reaguar ekipet në terren, është bërë e mundur arrestimi i shoferit, dhe ka filluar trajtimi i emigrantëve si viktima të kontrabandimit”, ka thënë Telaku në Klan Kosova.
Sipas Telakut kyu është rasti i parë, që kontrabandimi i emigrantëve bëhet përmes një autoambulance.
“Është rasti i parë që hasim një gjë të tillë, përndryshe në të kaluarën kemi pasur raste kur janë kapur shumë persona, që aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar përmes taksive, furgonave, mirëpo është rasti i parë që janë hasur në një autoambulancë”, ka shtuar ai.
Ai tha se autoambulanca nuk ishte në pronësi të institucioneve por ishte e një personi civil.
Telaku shtoi se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq emigrantët kanë kërkuar azil.
“I dyshimti është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të Prizrenit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Emigrantët pas kapjes kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare pra statusin e azilit, me ta është duke u marrë drejtoria për migrim dhe të huaj në Drejtorinë për ndihmë në Gjakovë”, ka thënë ai.


