Strijat, që njihen ndryshe edhe si smaljaturat, janë një problem serioz për lëkurën, që vijnë së pari nga gjenet, por edhe nga ndryshimet e menjëhershmë të lëkurës, shkruan Revista Class.
Kur lëkura zgjerohet ose tkurret shumë shpejt, në raste si shtim peshe në kohë të shkurtër, shtatzëni apo rritje gjiri, krijimi i strijave është pothuaj gjithmonë i mundur, transmeton lajmi.net.
Sipas specialistëve, strijat janë shenja të cilat nuk eliminohen përfundimisht, por me disa produkte natyrale, zbehja e tyre mund të jetë e suksesshme.
Vaj bajame dhe vajra esencialë (livando, trëndafil, mente etj.)
Masazhi me vaj bajame është këshilla kryesore që japin dermatologët për reduktimin e strijave. Nëse përdoret shpesh dhe i përzier, vaji i bajames është një zgjidhje e mirë për zvogëlimin e gjerësisë së tyre. Por vajin e bajames mund të përziesh me vajra të tjerë natyralë (vaj ulliri, vaj kokosi, vaj jojoba, etj.) dhe të aplikohet çdo natë mbi strijat e formuara.
Edhe vaji i ullirit është mjaft i rekomanduar për zbehjen e strijave të lëkurës, sepse është i pasur me vitaminë E, vitamina që neutralizon radikalet e lira në lëkurë, duke e mbajtur atë të zhdërvjellët.
Pi shumë ujë dhe evito pijet e gazuara
Përveç arsyeve të njohura, një arsye shumë e rëndësishme në formimin e strijave në lëkurë është mungesa e lagështirës. Trupi ka nevojë të jetë i hidratuar, në mënyrë që të shmangë sa më shumë dëmtimet që ndodhin në lëkurë. Duke shmangur kafeinën, pijet me sheqer, por edhe lëngjet e gazuara, do ta kesh më të lehtë ta mbash trupin gjithmonë të hidratuar.
Trajtim me të bardhën e vezës
Si në çdo rast të përdorimit të saj në lëkurë, e bardha e vezës është mjaft e rekomanduar edhe për të zbehur strijat në trup. Vetëm e bardha e vezës (pa të verdhën) mund të përdoret edhe më shumë se një herë në ditë nëse do të përshpejtosh zbehjen e strijave.
Scrub me sheqer
Rekomandohet në këto raste sheqeri i errët. Përzje 1/2 filxhan sheqer me lëngun e një limoni dhe shtoji një lugë çaji vaj bajame. Sa herë që mund të jesh duke bërë dush, kjo përzierje do të të ndihmojë ta bësh lëkurën të shkëlqejë.
Aloe vera
Njihet si një nga bimët që bën mrekulli në lëkurë, jo vetëm sa u përket trajtimeve të djegieve, por edhe për të minimizuar strijat. Është e thjeshtë për t’u përdorur, mjafton që xhelin e aloes ose vajin ta aplikosh mbi strija dhe lëre derisa lëkura ta përthithë. Gjithashtu, mund të përziesh aloe vera me vaj nga vitamina E dhe ta aplikosh mbi lëkurë.