“Zjarri i Dashurisë” ka qenë filmi që ka hapur edicionin e 21-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të shkurtër, Dokufest në qytetin e Prizrenit.
Filmi hapës është i regjisores amerikane, Sara Dosa, e cila është fituese e çmimit Peabody, si dhe është nominuar për çmimet, Emmy dhe Independent Spirit përgjatë karrierës së saj.
Festivali që ka nisur më 5 gusht, do të zgjasë deri më 13 gusht dhe përgjatë këtyre ditëve do të shfaqen 250 filma.
Filmat e kategorizuar në tetë kategori (Balkan dox, artistik ndërkombëtar, filma të shkurtër dox, filma të shkurtër ndërkombëtarë, për të drejtat e njeriut, për natyrën, për të vërtetën dhe kombëtar) është thënë se janë ndër më të mirët që janë filmuar në të kaluarën dhe këtë vit.
Nga 17 filmat e listuar në kategorinë Balkan dox, katër janë nga Serbia, dy nga Kosova dhe Kroacia dhe nga një nga Bosnje-Hercegovina dhe Sllovenia.
Tema e këtij festivali është “Si të mbijetojmë?”.
Ka filma që trajtojnë mbijetesën fizike në Ukrainë dhe pritet që përgjatë festivalit të flitet për mbijetesën pas shkatërrimit të pyjeve, xhunglave dhe ngrohjes së papritur të planetit.
Do të diskutohet edhe mbijetesa ndaj fashizmit “që po përhapet gjithnjë e më shumë”.
“Ne do të përpiqemi të marrim përgjigje për disa nga këto pyetje përmes të ftuarve, debateve dhe punëtorive”, ka thënë drejtori artistik i Dokufest-it, Veton Nurkollari, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se është i kënaqur me numrin dhe cilësinë e filmave që do të shfaqen këtë vit nga Kosova, por edhe nga rajoni dhe bota.
“Kemi filma që kanë marrë çmimet më të rëndësishme në botë nga festivalet në Kanë (Francë), Berlinale (Gjermani), Sundance (SHBA). Publiku ynë do të mund të shohë gjithçka që është e rëndësishme në botë nga kjo fushë”, ka shtuar ai.
Edhe Linda Llulla- Gashi, drejtoreshë ekzekutive e festivalit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për këtë edicion ka pasur interesim të madh nga kineastët vendorë, rajonalë dhe nga e gjithë bota.
“Nga mbi 3.000 aplikime, ekipi artistik zgjodhi më shumë se 250 filma që do të shfaqen në 10 kinema, gjysma e të cilëve janë në ambient të hapur”, ka thënë Llulla.
“Këtë vit ne rikthejmë DOKUKIDS, një program i animuar për fëmijë dhe punëtoritë për filmimin e atyre filmave. Me ta do të punojnë instruktorë në ish-kampin ushtarak të KFOR-it. Kemi rikthyer edhe pjesën muzikore të festivalit. Diskutimet në panel do të mbahen çdo ditë nga ora 17:00”.
Samir Karahoda është një nga anëtarët e ekipit artistik që ka punuar për përzgjedhjen e filmave.
Ai ka thënë se me ekipin kanë pasur luftë “të ëmbël” për të zgjedhur më të mirën nga të gjitha ato prodhime filmike të cilësisë së lartë.
Vetë Karahoda ka filma që i janë shfaqur në festivalet me nam në botë.
Filmi, “Në mes” ka pasur premierë botërore në Berlinale më 2019 ndërsa filmi, “Pa vend” ka pasur premierën në Festivalin e Kanës më 2021.
“Kam qëndruar në festivalet më prestigjioze të botës. Prandaj pohoj me përgjegjësi se Dokufest-i është një festival unik. Nuk ka askund një atmosferë të tillë si këtu në Prizren. Kjo është arsyeja pse ne jemi gjithnjë e më të njohur në botë. Nuk jam i vetmi që e them këtë. Këtë e thonë shumë (punëtorë filmi) që kanë qëndruar në Prizren gjatë festivalit”, ka thënë me krenari Karahoda.
Në hapjen e edicionit të 21-të ka pasur të ftuar nga e gjithë bota.
Organizatorët kanë tentuar të bëjnë pritje sa më miqësore.
Në mesin e mysafirëve ishte edhe Paul Lowe, profesor i filmit dokumentar nga Londra, i cili viziton Prizrenin për të dytën herë.
Ai ka thënë se befasohet me numrin e të rinjve në festival.
“Është shumë e rëndësishme që njerëzit nga i gjithë rajoni, madje edhe nga bota, të vijnë dhe të shohin se çfarë po ndodh me kulturën. Besoj se kjo trevë ka shumë për të treguar në aspektin kulturor. Dokufest-i është vërtet ambasadori më i mirë i Kosovës në botë”, ka thënë Roll, i cili jeton dhe punon prej kohësh në Sarajevë.
Prizreni, ka thënë ai, i kujton shumë Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjës.
Dhjetëra ekipe televizive dhe korrespodentë të mediave vendore dhe ndërkombëtare kanë qenë prezentë në hapjen e festivalit më 5 gusht.
Në pritje të mysafirëve, prizrenasit nuk e kanë fshehur krenarinë që qyteti i tyre është, siç thonë ata, kryeqyteti kulturor i Kosovës.
“Dokufest-i është, për ne prizrenasit, por edhe për Kosovën në tërësi, një dritare që i hapet botës. Përveç aspektit kulturor, që është synimi primar, ka edhe rëndësi ekonomike, sidomos për pronarët e bizneseve të vogla”, ka thënë, Fisnik Minci, gazetar i grupit KOHA.
“Kjo është e rëndësishme sidomos për brezat e rinj që nuk mund të udhëtojnë për shkak të vizave. Ata mund të punojnë këtu si vullnetarë, të shikojnë filma dhe të kuptojnë shumë për ngjarjet botërore”.
Qendra historike e qytetit, ku mbahen kryesisht shfaqje filmash dhe aktivitete të tjera të Dokufest-it, ishte plot me të ftuar më 5 gusht.
Pronarët e restoranteve kanë thënë se janë përgatitur mirë për këto ditë.
“Për këto nëntë ditë, sa zgjat festivali, ne bëjmë biznes më të mirë dhe marrim një lloj injeksioni financiar. Do të thotë shumë për ne”, ka thënë Arsim Futko, pronari i një biznesi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Linda Llulla flet po ashtu për pjesën financiare.
Sipas saj, të dhënat e Institutit për Studime të Avancuara (GAP) me seli në Prishtinë, qarkullimi i kapitalit në kohën sa mbahet festivali, shkon në rreth 5 milionë euro.
“Për momentin të gjitha hotelet e qytetit janë plot me mysafirë. Presim që sot dhe nesër të arrijë një numër edhe më i madh, kryesisht nga rajoni, por edhe nga vendet e Bashkimit Evropian dhe e gjithë bota. Ne kemi angazhuar edhe pronarë të shtëpive private për të dhënë me qira dhomat e tyre. Të gjithë ata që vijnë në Dokufest do të trajtohen me kujdes”, ka thënë Llulla.
Nurkollari tregon se kur ai me ekipin e kanë nisur Dokufest-in në vitin 2001, nuk e kanë pasur idenë se ku do të përfundonte dhe si do të zhvillohej.
Ai kujton se kolegët nga Festivali i Filmit në Sarajevë, u kanë ndihmuar atëbotë.
Në mesin e tyre ka qenë Dino Mustafiq, një nga regjisorët më të famshëm të Bosnje-Hercegovinës.
“Prej këtij viti, ne jemi një nga 24 festivalet që nominojmë një film të shkurtër dhe një film artistik për çmimin kryesor në Akademinë Evropiane të Filmit. Është dëshmi se ku kemi qenë dhe ku jemi tani. Megjithatë, nuk do të ndalemi këtu, ne do të vazhdojmë të ecim përpara”, ka thënë Nurkollari.
Revista Modern Times Review, e cila analizon festivalet, e ka renditur Dokufest-in në mesin e 20-të festivaleve më të mira në botë.