Lajme

“Si mund të thuhet ‘do ta shkatërrojmë opozitën’”/ Klianku, 39-shi i AAK-së: Bota po vjen po na tregon kush është Ramush Haradinaj

12/25/2025 16:24
nga:G B

Mehmet Klinaku, kandidat për deputet nga AAK, afarist i suksesshëm në Gjermani, ndonëse kandidon për herë të parë në zgjedhje, ka thënë se është një frymë shumë pozitive te qytetarët, pavarësisht se tani dhe jemi në prag festash.

Ai për Gazeta Blic ka thënë se AAK po merr mbështetje të madhe në terren dhe aty përcaktohet fituesi, e jo në rrjete sociale me profile të rrejshme.

“Unë po marr pjesë për herë të parë si kandidat për deputet, ndoshta e kam më vështirë për ta bërë vlerësimin si ka qenë më herët por po dua ta jap një bindje timen që e kam që është një frymë shumë pozitive, me çdo njeri që po flasim edhe pse jemi në kohë festash që është pak problem të shkohet te qytetarët dhe t’u kërkohet vota por po e shoh një frymë shumë pozitive. Aleanca ka një mbështetje shumë shumë të madhe në terren dhe terreni është ai që përcakton dhe fituesin dhe jo mediat sociale sepse është një fushëbetejë e papërcaktuar dhe tentohet të bëhet me profile të rrejshme të përcaktohet fituesi”, ka vlerësuar ai.

Sipas Klinakut, nuk janë të shëndosha deklaratat se duhet shkatërruar opozita.

“Ata zëra që vijnë për këto nuk janë as të shëndosha për shoqërinë e as për demokracinë në vend. S’mund të shkatërrohet opozita, s’duhet, ne çdonjërin që e kemi dëgjuar “do ta plasim opozitën”, “do ta shkatërrojmë”, për çka, kë ta shkatërrojmë, opozita edhe ajo është shqiptare e kësaj Kosove, si të thuhet se do t’i shkatërrojmë. Aleanca nuk zhduket, e ka dëshmuar këtë më 2021, pavarësisht 9 shkurtit që ishte një gabim koalicioni me Fatmir Limajn, Nismën, i është dhënë shumë hapësirë, Aleanca ka çka të japë mjaft vet, ka njerëz shumë të zotë, përveç që e kemi një kryetar si Ramush Haradinaj që po vjen bota po na tregon se kush është”, ka potencuar kandidati për deputet nga AAK.

Ai tregon dhe pse duhet votuar atë, me numër 39, me 28 dhjetor.

“Unë e shoh shumë elementare pse duhet të më votojnë sepse duhet të tentojmë të bashkohemi, të ndryshojmë dhe të kemi garanci e siguri në këtë vend, që unë e shoh që këtë e bën vetëm kryetari Haradinaj me këtë listë që e kemi shumë të mirë”, ka përfunduar Mehmet Klinaku./Gazeta Blic/