Lajme

Si e ka përçarë botën lufta në Ukrainë

04/23/2023 16:10
nga:Gideon Rachman

Nga Gideon Rachman “Financial Times”

Ndërsa Joe Biden ndodhej në një udhëtim sentimental në Irlandë, Xi Jinping ishte shumë i zënë në Pekin.

Pas një vizite të profilit të lartë nga presidenti Emmanuel Macron i Francës, lideri kinez mikpriti presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.

Mesazhi që doli nga samiti Lula-Xi ishte i pëlqyer për Kinën dhe shqetësues për SHBA-në. Udhëheqësi i Brazilit tha se vendi i tij dëshironte të bashkëpunonte me Kinën për të “balancuar politikën botërore” dhe e akuzoi Amerikën për “nxitjen” e luftës në Ukrainë.

Gjithashtu, ai mbështeti një qëllim të kahershëm të Kinës për të minuar rolin e dollarit amerikan në sistemin financiar botëror, duke deklaruar:”Çdo natë pyes veten pse të gjitha vendet duhet ta bazojnë tregtinë e tyre tek dollari?”.

Po ashtu Kina ka shënuar përparim kohët e fundit në diplomacinë e saj në Lindjen e Mesme. Këtë muaj, Ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Arabisë Saudite u takuan në Pekin, pasi Kina ndërmjetësoi një marrëveshje për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis dy fuqive.

Mesazhet e preferuara për botën nga Xi dhe Kina janë më se të qarta:“Ndërsa Amerika promovon luftën, Kina promovon paqen. Ndërsa Kina promovon tregtinë, Amerika vendos sanksione ekonomike”.

Këto zhvillime po shkaktojnë shqetësime në Uashington. Ish-Sekretari amerikan i Thesarit, Larry Summers, foli javën e kaluar për sinjale “shqetësuese”, që tregojnë se Amerika po e humbet ndikimin e saj global. Ai shtoi se dikush nga një vend në zhvillim i kishte thënë:

“Ajo që fitojmë nga Kina është një aeroport. Ndërsa ajo që marrim nga Amerika është një leksion!”.

Dhe një divergjencë e madhe në qëndrimet ndaj luftës në Ukrainë, po i nxit më tej këto ndryshime. Pratap Bhanu Mehta, një politolog i njohur indian, thotë se për një pjesë të madhe të botës, reagimi i Amerikës ndaj pushtimit rus, duket të jetë po aq problematik sa vetë pushtimi.

Pikërisht këto rajone po mundohet të joshë Kina. Parë nga këndvështrimi i SHBA-së dhe i pjesës më të madhe të Evropës, lufta e Vladimir Putin është një ngjarje unike, e cila kërkon një përgjigje unike. Sipas tyre, ky është një konflikt shumë i pazakontë, pasi nuk bëhet fjalë për një mosmarrëveshje kufiri apo edhe ndryshim regjimi.

Është një luftë për përvetësim territori. Konflikte të tilla kanë qenë shumë të rralla që nga viti 1945. Përpjekja për aneksimin e Kuvajtit në vitin 1990 nga Sadam Husseini i Irakut ishte një shembull tjetër, por ajo provokoi një përgjigje të gjerë globale.

Uashingtoni argumenton se një luftë për aneksime territoresh, është edhe më kërcënuese kur kryhet nga Rusia, një shtet me armë bërthamore dhe një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në kundërpërgjigje ndaj luftës në Ukrainë, SHBA-ja nisi një përpjekje për ta izoluar Rusinë ekonomikisht dhe diplomatikisht.

U vendosën sanksione të pashembullta ekonomike, dhe u ngrinë rezervat valutore ruse. Por ekonomia ruse nuk ka pësuar kolapsin katastrofik që parashikuan disa. Kjo kryesisht për shkak se një numër i konsiderueshëm vendesh – duke përfshirë ekonomitë kryesore, si Kina, India dhe Brazili – e kanë vazhduar tregtinë me Rusinë.

Për këto vende, lufta në Ukrainë mund të jetë për të ardhur keq. Gjithsesi, ai është një konflikt që duhet menaxhuar përmes armëpushimeve dhe kompromise. S.Jaishankar, Ministri i Jashtëm i Indisë, e shpjegoi refuzimin e jugut global për t’iu bashkuar masave ndëshkimore ndaj Rusisë, me një ankesë shumë herë të përmendur se Evropa mendon se “problemet e Evropës janë problemet e botës, por se problemet e botës, nuk janë problemet e Evropës“.

Indianët dhe të tjerët, argumentojnë se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë kanë krijuar probleme të reja për pjesën tjetër të botës. Ata përmendin ndikimin e luftës tek çmimet e ushqimit dhe energjisë, dhe për rrjedhojë tek njerëzit e varfër në mbarë botën.

Por me luftën po nervozohen edhe njerëzit e pasur në jugun global. Veprimet që u duartrokitën gjerësisht në Perëndim – si ngrirja e rezervave valutore ruse dhe sanksionet mbi asetet e oligarkëve rusë – kanë dërguar një mesazh të frikshëm për rrezikun e mundshëm të mbajtjes së aseteve tuaja në dollarë.

Dollari amerikan, që ka fituar një besueshmëri në nivel ndërkombëtar si një “strehë e sigurt”, duket tani më pak i sigurt për ata që kanë frikë se një ditë mund të jenë në anën e gabuar të një mosmarrëveshjeje gjeopolitike me Uashingtonin. Kjo frikë është më e theksuar tek aleatët tradicionalë amerikanë, si Arabia Saudite, të cilët janë gjithashtu të cënueshëm ndaj kritikave për të drejtat e njeriut apo për përdorimin e forcës ushtarake.

Pasi sundimtari de fakto i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, u implikua në vrasjen brutale të gazetarit Jamal Khashoggi, Biden e quajti Arabinë Saudite një shtet të neveritshëm.

Megjithëse presidenti i SHBA-së është përpjekur të ndreqë raportet me princin e kurorës, sauditi as nuk ia ka falur dhe as nuk e ka harruar poshtërimin e tij.

Ndaj edhe ai po afrohet me Kinën. Shqetësimet në lidhje me sanksionet e mundshme të SHBA-së në të ardhmen janë bërë edhe më të theksuara, duke pasur parasysh rritjen e tensioneve midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Po sikur SHBA-ja të përpiqet të vendosë sanksione financiare ndaj Kinës, si ato që ka vendosur tashmë ndaj Rusisë? Dollari është monedha më e njohur në botë për tregti. Por Kina është kombi më i madh tregtar në botë. Në vend se të bëjnë më pak tregti me Kinën, disa vende po kërkojnë të bëjnë më pak tregti në dollarë.

Për arsye të kuptueshme, Rusia ka nisur tanimë të ecë në këtë drejtim, dhe Pekini po inkurajon të tjerët, si Arabia Saudite dhe Brazili, që të përdorin juanin për tregtinë dypalëshe.

SHBA-ja mund të ketë të drejtë, kur thotë se lufta në Ukrainë është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Por nëse ajo nuk mund të bindë apo të detyrojë pjesën tjetër të botës të ketë të njëjtën qasje, pozicioni global i Amerikës mund të dobësohet shumë.