Lajme

Si bëhen vizitat për Bajram në Rahovec?

05/02/2022 21:37
nga:Gazeta Blic

Ende pa zbardhur dita e së hënës në Rahovec, xhemati i xhamisë “Kadir” veç kishin zënë ulëset e tavolinat në kafenenë e cila gjendet 10 metra larg këtij institucioni fetar.

Para se të falin namazin e Bajramit Fitër, thonë se e kanë traditë që të pinë kafe e më pas bashkë të hynë në xhami.

“Pimë kafenë para faljes së namazeve e pastaj shkojmë në xhami” tregon njëri nga rahovecianët, i cili thotë se e shijon tej mase këtë pije të ngrohtë.

Imami i “Kadiri”, Adnan Pallqa, u tha të pranishmëve se pas agjërimit 30-ditor, tani vjen lehtësimi dhe besimtarët do të ndjehen fitimtar e do të harrojnë mundimet e kaluara. Pallaqa, pak para faljes së Bajramit Fitër, u kërkoi xhematit që t’i qëndrojnë më pranë njëri tjetrit, të falin me zemër.

Më pas kur gjithçka përfundoi, te dera e xhamisë, u shpërndanë 350 dhurata, enkas për fëmijët. Ato i blenë vetë xhemati i “Kadirit”.

Lutje, porosi e festë pati edhe në teqenë e madhe në këtë qytet. Besimtarët uruan njëri tjetrin e u lutën që pandemia më në fund të përfundojë. Kërkuan nga bashkëvendësit e tyre e gjithë kosovarët që të mos braktisin Kosovën për të migruar në shtetet tjera të Evropës, ashtu siç po bëjnë tani.