Shumica e ukrainasve do ta kundërshtonin fuqishëm tërheqjen e trupave nga pjesa e rajonit lindor të Donetskut që ende kontrollohet nga Kievi, edhe nëse kjo do të bëhej në këmbim të garancive të sigurisë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, tregon një sondazh i publikuar të premten.
Ukraina, e kujdesshme për shkak të angazhimeve të parealizuara në të kaluarën, po kërkon garanci sigurie ligjërisht të detyrueshme për të parandaluar çdo agresion të ardhshëm rus, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ukraina ndodhet nën presion nga SHBA-ja për të rënë shpejt dakord për një marrëveshje paqeje, por ka refuzuar të pranojë kërkesat ruse që të dorëzojë territorin që ende kontrollon në Donbasin lindor, një zonë e gjerë industriale e pasur me minerale, e përbërë nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.
Rusia kontrollon pothuajse të gjithë Luhanskun, por Kievi ende mban rreth 20% të Donetskut, përfshirë një varg qytetesh garnizon me rëndësi strategjike dhe linja mbrojtëse kyçe.
Sipas sondazhit të Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev (KIIS), 54% e ukrainasve e refuzojnë kategorikisht idenë e tërheqjes nga pjesë të Donbasit në këmbim të garancive të sigurisë nga aleatët. Rreth 39% thanë se do ta pranonin me hezitim.
“Për më tepër, ata që janë të gatshëm të bien dakord presin garanci sigurie mjaft të forta. Prandaj, nëse niveli i garancive të sigurisë është më i ulët se sa pritet, miratimi i një propozimi të tillë do të jetë edhe më i vogël,” tha drejtori ekzekutiv i KIIS, Anton Hrushetskyi.
Anketa u zhvillua në fillim të janarit me 601 të anketuar në territorin e kontrolluar nga Ukraina.
Gati 70% thanë se nuk besojnë se negociatat aktuale do të çojnë në një paqe të qëndrueshme.
Rreth 57% besojnë se Rusia do të sulmonte sërish në rast të një armëpushimi përgjatë vijave aktuale të frontit, edhe nëse do të kishte garanci sigurie nga aleatët.
Megjithatë, edhe nëse do të jepeshin garanci sigurie, 40% besojnë se SHBA-ja nuk do të ofronte mbështetje në rast të një pushtimi të ri rus, ndërsa 39% mendojnë se do ta bënte këtë.
Rusia ka treguar publikisht pak interes për të zbutur kërkesat e saj dhe ka bërë pak komente lidhur me kornizën prej 20 pikash për paqe që Ukraina dhe SHBA-ja po përpiqen ta finalizojnë.
Në vend të kësaj, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore, duke dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike tashmë të shkatërruar dhe duke lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje, në temperatura ngrirëse.


