Lajme

Shukri Buja: Vendimi i Gjykatës së Specializuar është i rëndë, politik, i njëanshëm dhe i dëmshëm për Kosovën

09/16/2026 15:17
nga:L J

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shukri Buja ka reaguar ndaj vendimit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një postimi në facebook, Buja ka thënë se vendimi i Gjykatës së Specializuar është i rëndë, i papërgjegjshëm, politik, i njëanshëm dhe i dëmshëm për Kosovën.

“Sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë.Ta ngremë zërin. Ta shprehim revoltën, por jo me dhunë. Mos të biem pre e provokimeve të armiqve tanë dhe strukturave të tyre që veprojnë brenda Kosovës. Mos t’ua japim mundësinë të dëmtojnë Kosovën në emër të dhimbjes sonë”, tha ai mes tjerash.

Postimi i plotë:

Të nderuara familje të dëshmorëve!

Të nderuara familje të martirëve!

Të nderuar bashkëluftëtarë!

Të nderuar qytetarë!

Është i rëndë, i papërgjegjshëm, politik, i njëanshëm dhe i dëmshëm për Kosovën vendimi i Gjykatës së Specializuar!

Sot nuk u goditën vetëm çlirimtarët. U godit lufta jonë. U godit sakrifica jonë. U godit gjaku i derdhur për liri. U godit një popull që, për të qenë i lirë, pagoi çmimin më të shtrenjtë.

Është e rëndë për ne kur dënohen çlirimtarët, ndërsa pushtuesi, përmes mekanizmave të tij shtetërorë, që kreu krime të rënda ndaj popullit tonë, vazhdon të mbetet pa përgjegjësinë që ne e kërkojmë.

Ne ende hapim varre masive. Ende kërkojmë të pagjeturit. Ende ka nëna që presin përgjigje. Ende ka familje që jetojnë me plagët e luftës.
Dhe sot, mbi këto plagë, rëndon edhe një goditje tjetër.

E di se çfarë keni në zemër sot.

Zemërim. Mllef. Dhimbje. Revoltë.

Dhe askush nuk mund t’jua mohojë këtë dhimbje.

Por, ju lutem: mos ta lejojmë dhimbjen të na verbojë.

Sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë.

Ta ngremë zërin. Ta shprehim revoltën, por jo me dhunë.

Mos të biem pre e provokimeve të armiqve tanë dhe strukturave të tyre që veprojnë brenda Kosovës.

Mos t’ua japim mundësinë të dëmtojnë Kosovën në emër të dhimbjes sonë.

Sepse kjo Kosovë që e kemi sot nuk u fal. Ajo u ngrit mbi sakrificën e atyre burrave që e mbajtën mbi supe peshën e luftës, që ecën përmes zjarrit, që i lanë vitet e rinisë nëpër beteja dhe që sot i mbajnë në ballë rrudhat e një historie të shkruar me gjak.

E përballë gjithë kësaj dhimbjeje, një fjalë duhet të mbetet mbi çdo zë tjetër: LIRIA E TYRE!

Le të mos shuhet kurrë shpresa për drejtësi, për të vërtetën dhe për kthimin e tyre në Kosovë.

Dhe derisa të hapen dyert e lirisë, zëri ynë do të mbetet i pandalur.

Liria e tyre nuk është thjesht një shpresë, është një thirrje që nuk do të heshtë kurrë!