Lajme

Buja rikthehet në garë, fajëson Ahmetin për degradim të Lipjanit: Është bërë gjithë beton, qyteti ka nevojë për bashkim, jo rindarje

07/24/2025 15:51
nga:Genita C

Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka shpalosur për GazetaBlic arsyet e rikthimit të tij në politikë, duke e cilësuar degradimin urban dhe keqmenaxhimin aktual si nxitësit kryesorë të këtij vendimi.

“Unë nuk kam qenë aktiv në politikë, por e kam përcjell dhe i kam pa pasojat e mosangazhimeve të mija.

Realisht, ka qenë edhe insistimi i qytetarëve për t’u rikthyer dhe për t’u bërë kandidat për Lipjan,” u shpreh Buja, duke lënë të kuptohet se rikandidimi i tij nuk është vetëm vendim personal, por thirrje nga baza qytetare.

Në veçanti, ai kritikoi pushtetin aktual për transformimin që po e përjeton Lipjani – një transformim që, sipas tij, nuk ka në qendër interesin e qytetarëve.

“Lipjani është degraduar nga ky pushtet, është bërë gjithë beton. Janë bërë disa projekte që nuk janë menduar për të mirën e qytetarëve,” tha Buja.

Ai kritikoi ashpër edhe projektin e nënkalimit, të cilin e cilësoi si “rindarje të qytetit” që, përveçse i panevojshëm, ka pasur një kosto të lartë për buxhetin komunal.

“Lipjani ka nevojë për bashkimin e qytetit, jo për rindarje. Kryetari aktual ka shku me një planifikim që e ka rindarë qytetin për të realizuar një projekt që ka kosto tepër të lartë,” deklaroi ai.

Duke e përshkruar mandatin e Imri Ahmetit si të përqendruar në investime pa vizion, Buja tha se shpërndarja e resurseve është bërë me prioritet politik e jo publik. “Ka pasë investime të shpërndara pa interes për qytetarët, por vetëm për subjektin e tij,” përfundoi ai.