Lajme

Shtyrja e regjistrimit të popullsisë/ Bytyçi: Kurti dëshiron ta fshehë gjendjen faktike të zbrazjes së vendit

11/22/2023 19:53
nga:G B

Edhe pse ishte paraparë të niste me 1 nëntor, regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet fare këtë vit.

Ai është shtyrë për në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Agjencia e Statistikave të Kosovës është entitet përgjegjës për regjistrimin e popullsisë.

“Gjatë së javës së kaluar kam përdorur autorizimin tim ligjor për të ndryshuar menaxhmentin e ASK-së si një hap para për të ngritur efikasitetin e procesit”, tha ai.

Kreu i Qeverisë tha më tej se letra informuese që e ka pranuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati dëshmon se procesi i regjistrimit të popullsisë nuk është menaxhuar mirë, por kësaj radhe tha se është premtuar se gabimet nga e kaluara nuk do të përsëriten.

Lidhur me këtë, deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se si është e mundur që një kryeministër të ketë mjet të vetëm akuzimin apo fajësimin e tjetrit.

“E para, si ka mundësi që një kryeministër në vend se të punojë, i vetmi mjet i tij ka mbetur akuzimi apo fajësimi i tjetrit, dhe me keq fajëson një institucion që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit siç është ASK-ja. A dëshmon kjo që ky kryeministër nuk e di se çka udhëheq? Kjo është e tmerrshme”, thotë ajo.

Sipas deputetes, përmes shtyrjes së regjistrimit të popullsisë, Kurti dëshiron ta fshehë gjendjen faktike, duke dashur të mos shpërfaqet zbrazja e madhe e popullatës dhe situata në veri.

“E dyta, është shumë e qartë pse po ndodh kjo dhe pse regjistrimi është shtyrë për muajin prill të vitit të ardhshëm, pra kryeministri Kurti po do ta fsheh gjendjen faktike sepse Kosova ka pasur zbrazje të madhe të popullatës dhe nuk do ta shpërfaq të vërtetën e hidhur për dështimin e tij dhe situata në veri sigurisht që do ta pamundësojë regjistrimin edhe atje, prandaj në vend se ta tregojë të vërtetën kryeministri zgjedh të drejtojë gishtin tek të tjerët se kjo është ajo që di të bëjë më së miri, të fajësojë të tjerët për dështimet e veta”, deklaron deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi./Gazeta Blic/

Shtyrja e afatit për regjistrimit e popullsisë, Rukiqi-Kurtit: ASK funksionin brenda zyrës suaj

“Përgjegjësia bie mbi shpatullat e tij”/ Haziri: Drafti u bë pasi Kurti dështoi ta punojë atë – nuk e ka ndarë me LDK-në dokumentin, s’do bashkëpunim