Lajme

Shtypja e popullit rus nga pushteti i Putinit: Nga sot, kujtdo që thërret për sanksione ndaj Rusisë, i konfiskohen pronat

01/31/2024 13:36
nga:N K

Dhoma e ulët e parlamentit rus dha miratimin përfundimtar të mërkurën për një ligj të ri që do t’i lejojë autoritetet të konfiskojnë pronat e njerëzve të dënuar për “përhapje të qëllimshme të lajmeve të rreme për ushtrinë”.

Duma e Shtetit miratoi ligjin në leximin e tretë dhe të fundit, njoftoi kryetari i dhomës së ulët Vyacheslav Volodin në kanalin e tij zyrtar Telegram, shkruan Hina.

Masa do të zbatohet gjithashtu për ata që shpallen fajtorë për “diskreditim” të forcave të armatosura, ata që bëjnë thirrje për sanksione kundër Rusisë dhe ata që shpallen fajtorë për nxitje të aktivitetit ekstremist.

Ligji i ri, i cili ende nuk është miratuar nga dhoma e lartë e parlamentit dhe presidenti Vladimir Putin, do të lejojë gjithashtu shtetin të konfiskojë asetet e rusëve që janë larguar nga vendi dhe kanë kritikuar luftën në Ukrainë dhe të vazhdojnë të mbështeten në të ardhurat nga duke dhënë me qira shtëpitë ose apartamentet e tyre në Rusi.