Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është shtyrë seanca fillestare lidhur me aktakuzën ndaj deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe Urosh Vuksanoviq, për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në qershor të vitit 2023.
Gjykata më pas vendosi që seanca të shtyhet për 9 tetor, duke nisur nga ora 13:30.
Avokatët e dy të akuzuarve thanë se njëri nga të pandehurit nuk i ka pranuar shkresat nga prokurori, ndërkaq tjetri i ka pranuar vetëm pjesërisht.
Prokurorja e rastit, Ajtene Zoti, tha se avokatët janë njoftuar disa herë përmes telefonit për të marrë shkresat e lëndës, por ajo tha se ata nuk kishin shkuar për t’i marrë.
Më 13 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngriti aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Simiq akuzohet për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Sipas Prokurorisë, Simiq më 16 qershor të vitit 2023 gjatë protestave kundër vizitës të ministrit, tashmë në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat”./Rel


