Lajme

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren

11/22/2021 12:52
nga:N M

Për shkak të mungesës së përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në rastin ku ish-inspektori i ndërtimit, Nexhmedin Musliu, akuzohet për korrupsion.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi bëri të ditur se Komuna e Prizrenit, përmes zyrës së kryetarit, më 2 nëntor 2021, ka dorëzuar një parashtresë me të cilën e ka informuar gjykatën se për momentin është pa përfaqësues ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë, Komuna e Prizrenit ka kërkuar nga Gjykata në Prizren që të gjitha seancat ku duhet të jetë prezent përfaqësuesi ligjor i tyre të shtyhen për së paku 15 ditë, në mënyrë që të mos dëmtohen interesat e Komunës, pasi akoma nuk është zgjedhur përfaqësuesi në fjalë.

Në këto rrethana, seanca e së hënës u shty për 20 janar 2022.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishin prokurorja Ervehe Gashi dhe i akuzuari Nexhmedin Musliu. Munguan mbrojtësit e këtij të fundit, avokatët Gent dhe Blend Gjini.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”

Çmimi i rrymës në Kosovë mund të rritet për 30% e më lartë