Qasja e kryeministrit Kurti ndaj aleatëve dhe brenda hapësirës shqiptare ka qenë jo bashkëpunuese dhe jokonstruktive.
Kështu u shpreh eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni, derisa shtoi se kryeministri Kurti nuk ka pranuar as këshillat e SHBA-së,as të vendeve të QUINT-it, as të BE-së, as të NATO-s, as edhe të KFOR-it.
“Kryeministri Kurti nuk konsultohet për çështje kaq madhore dhe në një situatë të tillë krize, as me partitë opozitare në Kosovë, as me kryeministrin e Shqipërisë, apo partitë opozitare atje, por as me paritë shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, sqaroi më tej Shtuni.
Ai shtoi se edhe nëse në parim ka të drejtë, në praktikë e ka gabim, sepse i vetëm nuk mund të bëjë askush asgjë dhe kjo qasje të çon drejt izolimit”, deklaroi eksperti Shtuni në RTK.
Shtuni më tej shtoi se një qasje kundrejt veriut të Kosovës në mënyrë të pamatur, dëmton besueshmërinë e kryeministrit, dëmton besueshmërinë e vendit dhe është një sjellje sfiduese ndaj aleatëve.
“Dhe nëse nuk korrigjohet, ka me pasur pasoja akoma më të mëdha negative në marrëdhëniet me NATO-n dhe aleatët të tjerë, të cilët janë duke garantuar me jetët e ushtarëve të tyre sigurinë dhe shtetësinë e Kosovës”, deklaroi Shtuni.


