Qytetarët e Kosovës po përballen me një situatë gjithnjë e më të rëndë ekonomike, e cila po merr përmasa shqetësuese, vlerëson njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, raporton GazetaBlic.
Muhaxheri në një prononcim për GazetaBlic, thotë se rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike gjatë katër viteve të fundit, e shoqëruar me paralajmërimin për një rritje tjetër në muajin mars, po e godet drejtpërdrejt standardin e jetesës së qytetarëve.
Ai thekson se rritja e çmimit të energjisë nuk përfundon vetëm me kaq, por do ketë ndikim edhe në rritjen e të gjitha produkteve tjera.
“Qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me një situatë të rëndë ekonomike, e cila po merr përmasa shqetësuese. Kur i shtohet kësaj edhe rritja e kostos së energjisë elektrike disa herë brenda 4 viteve dhe paralajmërimi për rritje tjetër në muajin mars, kjo do të thotë t’ia vendosësh qytetarit këmbën në fyt, sepse ndryshe nuk shpjegohet kjo situatë, e cila do të ketë impakt të përgjithshëm në përkeqësimin e jetesës së qytetarëve. Sepse rritja e çmimit të energjisë nuk përfundon vetëm me rritje të çmimit të energjisë, por ajo ndikon në rritjen e të gjitha produkteve të tjera, të cilat bazë për prodhim e kanë energjinë elektrike”, tha ai.
Tutje ai kritikon ashpër mungesën e reagimit institucional, duke theksuar se qeveria po hesht përballë një problemi kaq jetik.
Ndër të tjera, Muhaxheri thotë se edhe partitë opozitare nuk po tregojnë seriozitetin e duhur, duke u mjaftuar me konferenca për shtyp dhe reagime në rrjete sociale, pa ndërmarrë veprime konkrete politike për ta penguar rritjen e çmimit të energjisë.
“Në anën tjetër, derisa qeveria hesht dhe nuk reagon, kemi edhe partitë opozitare që pothuajse sillen sikur ky problem nuk u përket atyre, por ndodh në një vend tjetër. Po ashtu, mosreagimi i unifikuar opozitar është shqetësim në vete, pasi çështjet kaq jetike për qytetarët e Kosovës nuk trajtohen vetëm me konferenca për shtyp dhe statuse në Facebook; duhet veprim politik për ta penguar rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, tha ai.
Duke folur për protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme, e organizuar nga një grup qytetarësh, Muhaxheri vlerëson se protestat janë një mjet legjitim i reagimit qytetar.
Megjithatë, ai thekson se efekti i tyre varet nga pjesëmarrja dhe organizimi.
“Sa i përket protestës së ditës së nesërme, që po organizohet nga një grup qytetarësh, ato janë gjithmonë të mirëpritura, por nëse nuk rezultojnë të jenë masive, efekti dhe mesazhi dobësohen. Shpresoj që organizimi i protestës së nesërme të jetë i organizuar aq mirë sa të ketë efekt dhe të arrihet qëllimi i asaj proteste”, përfundoi Muhaxheri për GazetaBlic.


