Lajme

Shtohet numri i personave me rrezikshmëri që gjenden në arrati

03/22/2024 07:08
nga:N K

Policia po kërkon vazhdimisht ndihmë nga qytetarët për arrestimin e personave të përfshirë në vepra penale “Grabitje të armatosur”,”Vrasje” ose “Plagosje” në pamundësi për të bërë arrestimin e tyre. Sipas ish-punonjësve të Policisë së Kosovës kjo po ndodhë pasi që recidivistët po arratisën në vendet që Kosova nuk ka bashkëpunim dhe po sugjerojnë ngritje të kapaciteteve teknologjikë për PK-në

Në shkurt të këtij viti në Rahovec derisa një çift të moshuarish po flenin në shtëpinë e tyre, dy persona të maskuar e të armatosur, u kishin depërtuar brenda dhe kishin grabitur stoli e para të gatshme.
Gjatë grabitjes ishin përdorur edhe armë zjarri, dhe pas hetimeve intenzive, Policia kishte arritur ta kapte një prej të dyshuarve, si edhe kishte sekuestruar një AK-47.

Por njëri prej të dyshuarve, mbetet në arrati edhe më tutje, dhe për të Policia e Kosovës po kërkon ndihmë nga qytetarët.

I dyshuar për këtë rast është 39 vjecari, Kushtrim Xhaka.

“Lidhur me rastin “Grabitje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve” ndodhur me datë 23.02.2024, Sektorit Rajonal i Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë-Gjakovë, është duke zhvilluar hetime intensive me ç’rast është identifikuar edhe një i dyshuar. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, për publikimin e fotografisë të personit të dyshuar në rast, me qëllim lokalizimin e tij, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Por ky nuk është rasti i vetëm që një person i përfshirë me grabitje me armë zjarri gjendet në arrati.

I tillë është edhe rasit i Korab Gashit, për të cilin Policia e Kosovës ka lëshuar urdhër arrest, nën dyshimin që I njejti është i përfshirë në rastin e grabitjes së armatosur dhe plagosjes së policit në argjendarinë “Diakos” në Suharekë.

Në kërkim, mbetet edhe Dukagjin Nikollaj, për rastin në Bon Vivant, ku mes tjerash mbeti edhe një person i vrarë.

Sipas Naser Sopjanit që në të kaluarën ka hetuar raste të tilla në Policinë e Kosovës, shumica e recidivistëve që i ikin përballjes me institucionet e drejtësisë, zgjidhje i kanë shtetet me të cilat Kosova nuk ka bashëkpunim.

“Bashkëpunimi me institucionet e Serbisë mungon, tash qytetar të Kosovës kanë pasur edhe dokumenta të Serbisë apo edhe pa dokumenta kalojnë dhe bashkëpunimi në mes institucioneve tona nuk është në nivel, nuk ka”, ka thënë Naser Sopjani – ish-hetues policor.

Sopjani thotë se edhe Policia e Kosovës duhet të avancojë, në mënyrë që të arrijë rezultate në kapjen e tyre.

“Teknologjia po ec, duhet të ec edhe policia e Kosovës në mënyrë që të kapën kryesit e veprës penale. Nuk duhet të ketë ndryshime të shpeshta në Polici. Nëse ndrrohet pushteti edhe nëse ndrrohet situata në vend, të mos ndrrohen pozitat që merren me këto raste”, ka thënë tutje ai.

Policia e Kosovës, së fundmi ka shtuar rastet e publikimit të fotografive ku nga qytetarët kërkon ndihmë për identifikimi e lokalizimin e të dyshuarve për veprave penale prej më të ndryshmeve, e një rubrikë për raste të tilla është edhe në ueb-faqen e saj./RTV Dukagjini