Lajme

Shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë/ Eksperti i sigurisë: Arsyeja zgjedhjet, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm

01/19/2025 14:02
nga:G B

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka thënë se arsyeja kryesore e shtimit të trupave të KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë ka të bëjë me ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit gjatë periudhave të ndjeshme, siç janë zgjedhjet, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se edhe pse është vështirë të parashikohet, por “ekziston mundësia që gjatë fushatës zgjedhore ose ditën e zgjedhjeve të ndodhin provokime ose sulme, të cilat mund të vijnë nga grupe ose individë që kanë interesa të destabilizojnë procesin politik në Kosovë”.

Andaj, sipas tij, prania e trupave ndërkombëtare është një masë parandaluese për të siguruar një proces të qetë dhe të sigurt zgjedhor dhe pas zgjedhor.

Postimi i tij i plotë:

Qëndrim i bazuar në Vlerësim dhe Informacion brenda strukturave ndërkombëtare

Në lidhje me shtimin e trupave të KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë, arsyeja kryesore ka të bëjë me ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit gjatë periudhave të ndjeshme, siç janë zgjedhjet.

Edhe pse është e vështirë të parashikohet me siguri, ekziston mundësia që gjatë fushatës zgjedhore ose ditën e zgjedhjeve të ndodhin provokime ose sulme, të cilat mund të vijnë nga grupe ose individë që kanë interesa të destabilizojnë procesin politik në Kosovë.

Grupi i personave me lidhje të mundshme me nacionalizmin serbo-rus mund të jetë një nga faktorët që mund të përpiqet të krijojë tensione, për shkak të ndikimeve dhe interesave që ato grupe kanë për të krijuar pasiguri dhe të tensionuar situatën.

Prandaj, prania e trupave ndërkombëtare është një masë parandaluese për të siguruar një proces të qetë dhe të sigurt zgjedhor dhe pas zgjedhor.