Lajme

Shteti Bektashi në Shqipëri, pastori: Precedent i rrezikshëm për harmoninë fetare

09/22/2024 22:14
nga:G B

“Krijimi i një shteti Bektashi brenda Tiranës, krijon një precedent të rrezikshëm”, kështu u shpreh pastori Paulin Vilajeti.

Ai tha se kryeministri Rama do duhet ta sqarojë më mirë këtë projekt të shpalosur për herë të parë në intervistën për “New York Time” e më pas në OKB, pasi siç u shpreh ai publiku shqiptar ka të drejtë të jetë i informuar.

Pastori tha se e quan të rrezikshme një shtet sovran të tillë, pasi kjo gjë sipas tij mund të krijojë precedentë që më pas sekte të tjera të kërkojnë shtetin e tyre.

“Unë e shikoj si diçka shumë të rrezikshme për shkak se në këtë mënyrë kujtdo i del e drejta të thot edhe unë dua të jem shtet. Edhe unë kam besimin tim, kam krijuar sektin tim këtu në Shqipëri dhe dua shtetin tim”, tha ai për Euronews Albania.

“Është precedent i rrezikshëm. Unë kam 33 vite që lexoj në teologji e njoh historinë jo vetëm të krishtërimit, por shumë fe të ndryshme. India pavarësisht se ka numrin më të madh të hinduizmit, e nuk ka një shtet për të mbrojtur hinduizmin.

Unë gjëja e parë që do i kërkoja kryeministrit Rama do ishte që publikut shqiptar ai duhet t’ia shpjegojë me detaje. Pasi nga ato 4 fjali që tha në OKB mbase nuk e kuptuam. Unë dua të theksoj se Bektashizmi është e vërtet që është një nga komunitetet fetare më tolerante që ka Shqipëria e në gjithë historinë e 30 viteve që kemi pasur lirinë e fesë, ne nuk kemi pasur asnjë rast terrorizmi”,-tha Pastori Vilajeti.