Qeveria e Kosovës u ka ndihmuar punëtorëve shëndetësorë me pagë shtesë prej 10% të pagës së rregullt bruto, jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor të vitit 2021.
Në lidhje me këtë pati reagime të shumta të stafit mjekësor, e madje disa prej tyre edhe i refuzuan, duke i quajtur si ‘ofendim’ dhe ‘lëmoshë’.
Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka ftuar në takim Odën e Infermierëve të Kosovës, Odën e Mjekëve, FSSHK, Shoqatën e Mamive, Shoqatën e Infermierëve të Psikiatrisë dhe Shoqatën e Infermierëve të Neurologjisë.
Ky takim do të mbahet për t’u koordinuar për aktivitetet dhe masat sindikale në kundërshtim të këtij veprimi.
Kështu është bërë e ditur në një postim në Facebook të Sindikatës së Infermierëve të Kosovës.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës konsideron që me këtë vendim është fyer rëndë dinjiteti i profesionistëve shëndetësor si dhe është minimizuar kontributi, puna, angazhimi dhe sakrifica që komuntetet respektive tani e 18 muaj po e japin në vazhdimësi”.