Lajme

“Shtesat prej 60 eurosh, qesharake – nuk i pranojmë”

08/27/2021 00:37
nga:Gazeta Blic

Qeveria e Kosovës ka ndarë 2.7 milionë euro për punëtorët shëndetësorë të sektorit publik për tre muaj, për gusht shtator dhe tetor, që do të thotë 60 euro në muaj.

Por, këto shtesa po konsiderohen qesharake nga infermierët, të cilët kanë thënë se nuk e pranojnë këtë shumë.

Kryeinfermieri i Klinikës së Mjekësisë Sportive, Dardan Imeri tha se kjo shumë nuk është e mjaftueshme për punën që bëjnë infermierët.

“Neve si infermier na duket qesharake, nuk e pranojmë asnjë atë vlerë. Pa marrë parasysh çfarë çmimi të jepet, nuk na paguhet mundi që e bëjmë, ajo është mëpërkëmbje për infermierët dhe stafin shëndetësor. Shuma paraprake ka qenë deri dikur e e kënaqshme, edhe pse nuk e ka kompenzu punën dhe mundin e infermierëve dhe stafit shëndetësor”,

“Nuk do ta pranojmë atë lëmoshë, nuk është pagë, nuk është kompensim, nuk është vlerësim i punës që e bëjmë na. Nuk është hera e parë që po shkelemi e mëpërkëmbëmi. Nuk është vlerë ajo vlerë e mjaftueshme për punën dhe kompensimin që duhet me na bo neve ktu”, tha Imeri.

Ai tha se stafi shëndetësor ka qenë i përkushtuar dhe i tillë do të mbetët, për të ndihmuar qytetarët, njofton Klankosova.tv.

“Ne si infermier kemi qenë gjithmonë të përkushtum edhe do jemi do jemi gjithëherë, deri në përfundim të pandemisë për me i ndihmu popullit edhe përkundër asaj që jemi të nënvlersum edhe të ngarkum tepër me punë. Stafi i infermierëve ka qenë dhe do të jetë, ashtu qysh edhe po i quajnë heronj të mjekëisë kosovare”, shtoi kryeinfermieri

Imeri shtoi se për të pasur punë më cilësore nevojitet staf më i madh.

“Për me ofru shërbime cilësore duhet me e pas numrin më të madh të infermierëve, tani jemi afërsisht shtatë infermierë me përgjegjësin këtu, diku 20 dhoma dhe mbi 60 pacientë në këtë kat. Katër infermierë kujdesen për mbi 30 pacientë”, u shpreh ai.

Tutje, Kryeinfermieri i Klinikës së Mjekësisë Sportive u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë rregullat që parandalojnë përhapjen e virusit COVID-19 si dhe të vaksinohen.