Deputetja e Guxo, Jeta Statovci, ka folur për shtesat nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, vendim i marrë nga Qeveria të dielën.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Qeveria i ka në vëmendje fëmijët dhe pensionistët dhe se vendimi është i rëndësishëm për këto kategori.
“Është një vendim shumë i rëndësishëm që i prek këto kategori dhe për ekonominë në përgjithësi. E dimë që fëmijët nuk kanë fuqi vendimmarrëse dhe në kuadër të kësaj ne kemi një qeveri që kujdeset t’i kemi në vëmendjen tonë qoftë shtesat për fëmijë dhe kjo krijon ndjesinë se shteti për herë të parë bën diçka për fëmijët. Kurse në rastin e pensionistëve, ne kemi pasur një praktikë të tillë radhazi, në sensin që të ketë edhe rritje në përqindje të pensioneve por edhe intervenime të tilla të kohëpaskohshme që të lehtësohet edhe gjendja ekonomike dhe është diku i pesti intervenim gjatë këtij mandati”, është shprehur ajo.
Deputetja ka folur dhe për kritikat lidhur me këtë vendim, teksa thotë se ato nuk janë të pazakonta nga opozita, që i bën ndaj çdo vendimi të qeverisë.
“Kritikat nuk janë diçka e pazakontë nga ana e opozitës. Ata kanë kritikuar edhe kur i kemi rritur pagat, edhe pensionet, edhe shtesat për fëmijë dhe lehona, mirëpo është vendosur një standard i ri ku qytetari është vendosur në vëmendjen e institucioneve, të kësaj qeverie në mënyrë që të ndihmohet”, ka vlerësuar Statovci për Gazeta Blic.
Po ashtu, ajo ka thënë se për dallim nga Qeveria Kurti, në të kaluarën është ndjekur praktikë që mjetet nuk kanë shkuar te qytetarët por te bizneset, ose janë fryrë tenderët.
“Në të kaluarën është ndjekur praktikë ku mjetet në vend se të shkonin te qytetarët ose fryheshin tenderët, ose mjetet shkonin te bizneset e jo te qytetarët e jona është që të shkojë te qytetari dhe pastaj qytetari të ndërveprojë në një mënyrë të shëndoshë me bizneset”, ka potencuar deputetja e Guxo.
Kurse, lidhur me atë se sa pret që kjo ndihmë të ndikojë në vota, ajo u shpreh se qytetarët do ta vlerësojnë.
“Ne e kemi fokusin te mirëqenia e qytetarëve, kjo ka qenë praktika dhe standardi, pastaj është vlerësim i qytetarit se si e vlerëson punën, për kujdesin e vëmendjen që kjo qeveri e ka pasur karshi tyre”, ka deklaruar Jeta Statovci./Gazeta Blic/