Cult

Shtëpia muze që po tërheq vëmendjen e njerëzve të famshëm

09/22/2021 11:48
nga:G C

Këtë verë e vizitoi Leonardo DiCaprio. Më pas e vizitoi “Green Day”. Një muze i vogël në Tulsa të Oklahomas, kushtuar një filmi klasik dhe i drejtuar nga një artist, po tërheq emra të mëdhenj në Heartland.

“The Outsiders House Museum” u krijua nga Danny Boy O’Connor, ish-anëtar i grupit hip-hop, “House of Pain”. Ka qenë një punë dashurie për O’Connor, i cili e bleu shtëpinë disa vite më parë dhe e rinovoi atë.

Shtëpia njëkatëshe modeste me ngjyrë të bardhë, me një verandë të përparme të gjerë u përdor si qendër në filmin e vitit 1983, “The Outsiders”, bazuar në romanin klasik me të njëjtin emër të S.E. Hinton të vitit 1967, transmeton KultPlus.

“Për ne ishte ‘Gone with the Wind’. Ishte ‘American Graffiti’ Çdo brez gjente arketipet e lezetshëm se kush mund të ishim, dhe ky për mua ishte film”, ka thënë O’Connor në një intervistë të bërë së fundi pikërisht në këtë shtëpi-muze. Ai tha se vizitorët kanë qenë “nga 8 deri në 80 vjet dhe gjithçka në mes. “Zakonisht është e gjithë familja. Është një muze familjar”.

Regjisori Francis Ford Coppola xhiroi filmin në Tulsa me një kast të njohur përfshirë C. Thomas Howell, Ralph Macchio, Matt Dillon, Diane Lane, Patrick Swayze, Rob Lowe, Emilio Estevez dhe Tom Cruise.

Muzeu gjithashtu përfshin kujtime nga shesh-xhirimi duke përfshirë mobilie, fotografi, postera dhe xhaketën prej lëkure të veshur nga personazhi Dallas Winston.

“The Outsiders” zhvillohet në Oklahoma në vitet 1960 dhe përmban banda rivale adoleshente: “The Socs”, shkurtesë për “Socials” dhe “Greasers”. Shtëpia ishte shtëpia e vëllezërve Curtis dhe një vendtakim për miqtë e tyre, pjesë e bandës “Greaser”, transmeton tutje KultPlus.

Ndërtesa ishte në gjendje të keqe kur O’Connor e bleu atë në vitin 2015 pasi vizitoi qiramarrësit dhe gjurmoi pronarin. Para se të fillonte projektin, ai nuk ishte i sigurt se çfarë do të bënte më tej, pasi kishte shpenzuar kursimet e tij.

Prapëseprapë, kur kalonte andej gjatë turneve ose kur udhëtonte ai gjithmonë bënte një ndalesë në Oklahoma.

“Kjo është fenomenale. Dhe dua të them që në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk e dija se çfarë po bëja. Pashë një shtëpi nga një nga filmat e mi të preferuar”, ka thënë O’Connor, 52 vjeç.

Ai filloi një “GoFundMe” për të mbledhur para për riparime dhe restaurime.

“Tulsans më ndihmuan”, ka thënë ai. “Njerëzit nga filmi më ndihmuan. Okies më ndihmoi”.

DiCaprio, i cili ishte në verilindje të Oklahomës për xhirimin e filmit “Killers of the Flower Moon”, vizitoi “Outsiders House” gjatë orarit të punës dhe bëri një gjiro në korrik. Ai që atëherë është fotografuar në muzetë e tjerë në zonë, përfshirë “Oklahoma City National Memorial & Museum”.

“Ai ka thënë se sa herë që xhiron një film, përpiqet të vizitojë edhe një muze”, ka thënë O’Connor, duke shtuar se aktori kishte lexuar dikur për një version televiziv të “The Outsiders”.

Shumë shpejt atë e vizituan edhe aktorë të tjerë nga “Killers of the Flower Moon”.

“Green Day”, që ishte në Tulsa për një shfaqje në “Cain’s Ballroom”, po ashtu, ndaloi për një vizitë. “Ata erdhën dhe ishin gjithashtu edhe tifozë”, ka thënë O’Connor, duke vënë në dukje se frontisti Billie Joe Armstrong ka lidhje me Oklahoman – nëna e tij është nga Oklahoma.

O’Connor ndan fotografi të vizitave të njerëzve të famshëm në mediat sociale.

Tani, O’Connor po përgatitet për shfaqjen e një versioni të veçantë të filmit në “4K Blu-ray”, pjesë e një sërë ngjarjesh që do të zhvillohen nga 25-26 shtator. /ap/