Pasi u anulua dy vite për shkak të pandemisë së koronavirusit, në Washington u shtrua darka e Shtëpisë së Bardhë për korrespondentët, përcjellë GazetaBlic.
Në mesazhin e tij, presidenti Joe Biden foli për gazetarët që raportojnë nga lufta në Ukrainë, duke theksuar se në ditët e sotme, shtypi i lirë ka më shumë rëndësi se kurrë.
Në darkë morën pjesë gazetarë, drejtues të mediave, zyrtarë të administratës dhe shumë personazhe të njohur të jetës publike në vend.
Presidenti Joe Biden e nisi fjalimin me batuta rreth moshës së tij, anketat që vlerësojnë punën e administratës, si dhe mbi mediat kritike. Por gjithçka mori një ton tjetër, kur Biden foli për gazetarët që raportojnë nga lufta në Ukrainë.
“Ne të gjithë e kemi parë guximin e popullit ukrainas për shkak të guximit të gazetarëve amerikanë në këtë dhomë dhe kolegëve tuaj në mbarë botën, që janë në terren, që kanë marrë në dorë fatet e tyre. Ka një dezinformim masiv në rritje, ku e vërteta varroset nga gënjeshtra dhe gënjeshtrat jetojnë si të vërteta. Një gjë është e qartë shtypi i lirë është më i rëndësishëm se kurrë”, theksoi Biden.
Nëpërmjet humorit Biden dha edhe një mesazh për presidentin rus, teksa i tha komedianit Trevor Noah se mund të bënte batuta me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe “ai nuk do të shkonte në burg, si në Moskë”.
Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u themelua në vitin 1914 dhe ka shtruar darka pothuajse çdo vit që nga viti 1921, për të festuar me gazetarët që mbulojnë presidencën. Darka vjetore mbledh fonde për bursa universitare.


