Lajme

Shtëpia e Bardhë rrit shpresat për arritjen e një armëpushimi 6-javor në Gazë

03/05/2024 15:39
nga:Y I

Përfaqësuesit e Hamasit do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kajro edhe për një ditë me kërkesë të ndërmjetësuesve, ndërsa vazhdojnë pa ndonjë përparim bisedimet për armëpushim, tha të martën një zyrtar i grupit militant.

Bisedimet në kryeqytetin e Egjiptit shihen si mundësia e fundit për arritjen e armëpushimit të parë të zgjatur në luftën Izrael-Hamas, para fillimit të muajit të Ramazit.

Një ditë më parë Nënpresidentja amerikane ripërsëriti thirrjen e saj për një armëpushim “të menjëhershëm” gjashtë-javor në Gazë, ndërsa u takua me një anëtar të lartë të kabinetit izraelit të luftës.

Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Anita Powell, analistë dhe protestues shprehen skeptikë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje brenda këtyre ditëve.

Armëpushimi i kërkuar nga palestinezët prej muajsh, ndërsa Izraeli vazhdon sulmet në Gazë, mund të arrihet së shpejti.

Gjatë fundjavës, Nënpresidentja Kamala Harris u bë zyrtarja e parë e administratës së Presidentit Biden që bëri thirrje publike që forcat izraelite dhe Hamasi të ulin armët në konfliktin që nisi pas sulmit të 7 tetorit të militanëve palestinezë kundër Izraelit.

“Duke pasur parasysh shkallën e lartë të vuajtjeve në Gazë, duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm, për të paktën gjashtë javët e ardhshme, gjë që është hedhur në tryezë aktualisht”, tha zonja Harris.

Kjo marrëveshje vjen me kushte. Të hënën, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u thanë gazetarëve se Hamasi po vazhdon të shqyrtojë propozimin e Izraelit që përfshin lirimin e pengjeve. Administrata nuk dha hollësi të tjera mbi negociatat.

Por debati mbi fatin e Gazës është bërë shumë publik. Të hënën, ndërsa zonja Harris u takua me një anëtar të kabinetit izraelit të luftës, një grup i vogël protestuesish u mblodhën jashtë Shtëpisë së Bardhë për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

“Armëpushim për gjashtë javë? Pastaj çfarë? Nuk është e drejtë. Armëpushimi është armëpushim. Armëpushim i plotë. Ndoshta ata duan të blejnë kohë për zgjedhjet? Është një lojë, të cilën nuk e besojmë“, thotë Mona Sadeq nga Shoqata Amerikano-Palestineze e Grave.

Analistët thonë se megjithëse qëndrimi i zonjës Harris mbi këtë çështje është i rëndësishëm, kërkesat e saj mund të shoqërohen me kushte.

“Është e rëndësishme të analizojmë se ku e mbështeti ajo këtë qëndrim, sepse administrata për një kohë të gjatë ka kërkuar armëpushim, por brenda kornizave të një marrëveshjeje specifike. Nëse thirrja e saj është përsëritje e kësaj, rëndësi ka vetëm fakti se kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë i administratës shprehë saktë dhe në mënyrë të duhur ndjeshmërinë me viktimat në të dyja anët e konfliktit”, thotë Trita Parsi nga Instituti Quincy për Qeverisje të Përgjegjshme.

Një pyetje tjetër e shtruar nga vetë Shtëpia e Bardhë është nëse Hamasi, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, do ta pranojë marrëveshjen për të ndalur luftën, në të cilën janë vrarë dhjetëra mijëra civilë.

“Kërkesat e shprehura deri tani nga administrata e Presidentit Biden, përfshirë atë për lirimin e të gjitha pengjeve në këmbim të një armëpushimi gjashtë-javor, mendoj se janë pamundura të pranohen nga Hamasi, sepse ata po heqin dorë nga të gjitha mjetet që kanë në dorë për një ndërprejre të përkohshme të luftimeve dhe jo një zgjidhje të përhershme. Mendoj se do të jetë shumë e ndërlikuar”, thotë zoti Parsi.

Mbetet të shihet nëse luftimet do të ndërpriten në fillim të muajit të Ramazanit, apo do të ketë intensifikim të tyre./VOA/