Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të dërgojnë forca në Ukrainë, edhe nëse Rusia gjatë agresionit kundër këtij vendi përdor armë jokonvencionale, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Dërgimi i forcave amerikane në Ukrainë dhe lufta kundër Rusisë, ky nuk është qëllimi ynë”, tha ajo.
Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në forcimin e pozitës së Ukrainës në negociatat me Rusinë, por nuk përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë në zgjidhjen diplomatike të krizës, shtoi Psaki.
“Unë do të thoja se vëmendja është e përqendruar kryesisht në vazhdimin e mbështetjes së ukrainasve, liderëve ukrainas. Ne e bëjmë këtë duke ofruar ndihmën më të madhe ushtarake dhe humanitare në botë. Detyra jonë është t’i forcojmë ata, t’i mbështesim, përderisa marrin pjesë në negociata,” tha Psaki, duke shtuar se Presidenti amerikan Joe Biden “nuk ia mbylli kurrë derën diplomacisë”.
Transferimi i aeroplanëve polakë MiG-29 në Ukrainë nuk do të sillte ndryshime të rëndësishme në aftësinë e Kievit për t’u mbrojtur, shtoi më tutje ajo.
Sipas Psakit, heqja dorë nga propozimi i Polonisë për t’i dorëzuar SHBA-së aeroplanët e saj luftarakë, me qëllim që të dërgohen në Ukrainë, bazohet në vlerësimin se duhet medoemos të parandalohet një luftë botërore.


