Lajme

Shtëpia e Bardhë dhe NAACP dënojnë mesazhet raciste drejtuar popullatës me ngjyrë

11/08/2024 22:55
nga:Sh R

Grupi për të drejtat civile NAACP dhe Shtëpia e Bardhë dënuan mesazhet raciste me tekst që i referoheshin skllavërisë dhe që iu dërguan në rrugë anonime zezakëve ndërsa po mbylleshin zgjedhjet presidenciale amerikane këtë javë.

Në mesazhin racist dërguar popullatës me ngjyrë në shumë shtete, përfshirë Alabamën, Karolinën e Veriut, Pensilvaninë dhe Virxhinian, thuhej se ata duhet të paraqiteshin tek një plantacion për të mbledhur pambuk, tha organizata NAACP të enjten.

Mesazhi është një referencë fyese ndaj periudhës së skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se mes atyre që morën mesazhin racist me tekst ishin edhe nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve.

Disa drejtori arsimore i paralajmëruan studentët lidhur me mesazhet raciste dhe u kërkuan atyre që t’i raportojnë ato tek zyrtarët e arsimit ose autoritetet lokale.

Autoritetet federale dhe shtetërore po zhvillojnë hetime, tha Shtëpia e Bardhë të premten. FBI-ja tha se ishte në kontakt me Departamentin e Drejtësisë dhe autoritete të tjera federale lidhur me mesazhet raciste.

“Këto veprime nuk janë normale. Ne refuzojmë që kjo të normalizohet”, tha përmes një deklarate zoti Derrick Johnson, president i shoqatës NAACP, e cila mbron të drejtat racore dhe të drejtat për zezakët në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Johnson tha se mesazhet ishin një reflektim i fitores së zgjedhjeve presidenciale nga republikani Donald Trump ndaj Nënpresidentes demokrate Kamala Harris, gjë që shkaktoi një valë tronditëse tek komunitetet zezake në Amerikë.

Shumë zezakë thonë se parashikojnë një hap mbrapa për drejtat civile pasi zoti Trump u zotua që t’u japë fund programeve federale për larminë dhe përfshirjen.

Një zëdhënës i presidentit të zgjedhur Donald Trump nuk iu përgjigj kërkesave për koment të enjten dhe të premten. Presidenti i zgjedhur mohon se është racist dhe ka thënë se të gjithë amerikanët do të përfitojnë nga planet e tij ekonomike.

Një sondazh pas-zgjedhor i kryer nga “Edison Research” në ditën e zgjedhjeve, tregon se demokratja Harris fitoi 85% të votës së zezakëve në mbarë vendin dhe zoti Trump mori 13%. Kandidati republikan shënoi një rritje prej 1% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2020, ku humbi përballë zotit Biden, sipas një sondazhi me votuesit pas hedhjes së fletëvotimit.

“Dënojmë me forcë këto mesazhe urrejtjeje dhe këdo që vë në objektiv amerikanët në bazë të përkatësisë etnike ose prejardhjes”, tha përmes një deklarate të premten Robyn Patterson, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë për Presidentin Joe Biden. “Racizmi nuk ka vend në shtetin tonë. Pikë”.

Periudha para zgjedhjeve të së martës shënoi rritjen më të madhe të dhunës politike në Shtetet e Bashkuara që nga vitet 1970, përfshirë disa sulme raciste ndaj mbështetësve të demokrates Harris, sipas rasteve të identifikuara nga agjencia e lajmeve Reuters.

Nënpresidentja Harris, gruaja e parë me ngjyrë në krye të një dysheje presidenciale të një partie kryesore në vend, u përball gjithashtu me sulme personale, përfshirë nga zoti Trump, për racën dhe gjininë e saj./ VOA