Presidenti amerikan Joe Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump në janar, tha Shtëpia e Bardhë të hënën, duke e quajtur atë një “angazhim ndaj vlerave tona demokratike” pavarësisht se Trump nuk kishte qenë i pranishëm në ceremoninë e betimit të Biden në 2021.
Trump kishte refuzuar të merrte pjesë në inaugurimin e Biden në vitin 2021, pasi pretendoi në mënyrë të rreme se zgjedhjet, që i fitoi Biden, ishin të manipuluara dhe përsëriti këto akuza në një tubim në Uashington, para se një pjesë mbështetësve të tij të sulmonte Kapitolin.
“Presidenti premtoi se do të merrte pjesë në inaugurimin e kujtdo që të fitonte zgjedhjet”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates para gazetarëve.
“Ai dhe Zonja e Parë do ta mbajnë premtimin dhe do të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit”.
Zëdhënësi Bates shtoi: “Ai e sheh këtë si një demonstrim të rëndësishëm të përkushtimit ndaj vlerave tona demokratike dhe për nderimin e vullnetit të popullit, ndërsa ne vazhdojmë të ofrojmë një tranzicion të rregullt dhe efektiv.”
Pavarësisht se në mënyrë të përsëritur e cilësoi Trumpin si një kërcënim për demokracinë gjatë fushatës së zgjedhjeve të këtij viti, Biden ka vendosur t’i sigurojë Trumpit një tranzicion të qetë edhe pse republikani Trump ia mohoi atij këtë.
Biden e ftoi presidentin e sapozgjedhur Trump në Shtëpinë e Bardhë një javë pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, në të cilat ai fitoi ndaj rivales demokrate, nënpresidentes Kamala Harris.
Biden, 82 vjeç, u tërhoq nga gara për një mandat të dytë në korrik dhe mbështeti Harris pasi një paraqitje katastrofike në debatin me Trump shkaktoi frikë tek demokratët për moshën dhe shëndetin e tij mendor, raporton VOA.