Shtëpia Botuese Luarasi, ka reaguar sërish lidhur me tekstet shkollore, derisa ka thënë disa shpjegime me shifra dhe fakte, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se masakra lidhur me tekstet shkollore nuk është financiare, por masakër mbi cilësinë e këtyre teksteve.
“Luarasi” ka thënë se MASHT-i, deputetë e analistë kanë helmuar opinionin publik rreth teksteve shkollore që 3 ditë, duke mos e kuptuar problemin për të cilin flasin.
Kjo shtëpi botuese ka thënë se nga MASHT-i ka leje botimi për vetëm 5 tekste shkollore dhe se këtë vit nuk ka pasur fare ofertë.
Sipas saj, ajo doli në qendër të vëmendjes për shkak të kritikave që ka pasur ndaj MASHT-it dhe se ndaj tij ka ushtruar 10 pari që nga viti 2019, për shkeljet e bëra.
“Luarasi” ka hedhur akuza ndaj Ministrisë së Arsimit lidhur me tekstet shkollore, derisa ka thënë se ajo ka bërë shkelje për 15 vjet me to dhe viktima është cilësia e teksteve shkollore.
Postimi i plotë:
EDHE DISA SHPJEGIME ME SHIFRA DHE FAKTE LIDHUR ME TEKSTET SHKOLLORE
(Masakra lidhur me tekstet shkollore nuk është financiare, por masakër mbi cilësinë e këtyre teksteve)
1. Zyrtarë të MASHTI-t, deputetë dhe analistë kanë dezinformuar (helmuar) opinionin rreth teksteve shkollore në këto 3 ditë. Shumica prej tyre hedhin helm pa e kuptuar fare problemin për të cilin flasin. Qëllimi i të gjithë këtyre është tentim-mbulimi i dështimit të ministres së arsimit dhe kabinetit të saj në procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.
2.Shtëpia Botuese Luarasi, prej funksionimit të saj, ka leje botimi nga MASHTI vetëm për 5 tekste shkollore. Prej këtyre 5 teksteve, 3 janë për klasat 1-9 (Matematika 2, Matematika 3 dhe Fizika 6) dhe 2 janë për klasat 10-12 (Fizika 10 dhe Gjeografia 12). Ministria blenë nga botuesit vetëm tekstet shkollore të klasave 1-9. Do të thotë, në rastin më të mirë, Shtëpia Botuese Luarasi ka ofertuar në tenderin e ministrisë me 3 tituj. Kurse në këtë vit, Shtëpia Botuese Luarasi, për shkaqe të ndryshme, nuk ka ofertuar fare, pra me asnjë tekst shkollor.
3.Pse pra Shtëpia Botuese Luarasi doli në qendër të vëmendjes? Pse, kur në rastin më të mirë për të, kjo shtëpi botuese merr pjesë me më pak se 0.5% në shumën e gjithmbarshme të shumës që harxhohen për tekste? Pse Shtëpia Botuese Luarasi doli në qendër të vëmendjes, kur në këtë vit nuk ka ofertuar fare?
4.Arsyeja është e thjeshtë! Për shkak se Shtëpia Botuese Luarasi ka qenë kritike ndaj procesit të bërjes së librave dhe kritikat i ka shprehur vazhdimisht në rrugë zyrtare; për shkak se Shtëpia Botuese Luarasi, prej vitit 2019 ka ngritur më shumë se 10 padi në gjykatat tona për dhjetëra shkelje ligjore të MASHTI-t; për shkak se edhe ministrja aktuale është kallëzuar penalisht për 8 vepra penale lidhur me tekstet shkollore.
5.MASHTI-i plason në opinion çmime vetëm për të helmuar opinionin, pa iu dhënë shpjegimin e duhur këtyre çmimeve. Disa deputetë dhe disa analistë i ri-plasojnë këto çmime pa i kuptuar fare ato.
6.Çmimet 30 euro, e 27 euro për një tekst shkollor (të cilat çmime nuk kanë të bëjnë me Shtëpinë Botuese Luarasi), janë çmime ekstreme, por opinioni duhet ta dijë se me këto çmime ministria paguan një numër shumë të papërfillshëm të teksteve. Edhe këto çmime me një rregullore të thjeshtë do të mund të rehatoheshin, por këtë duhet ta bëjë ministria.
7.Shifra prej 51 milion euro e shpenzuar nga ministria për furnizim të nxënësve me tekste për 5 vite përdoret si gogol! Mirëpo, kur të bëhet një llogaritje e thjeshtë, del në shesh blofi i atyre që e përdorin. Brenda 5 viteve, nxënësve të Kosovës iu kanë shkuar në duar nga ministria mbi 12 milion libra. Tani vet mund ta gjeni çmimin mesatar për një libër.
8.Të nderuar qytetarë! Ka masakër në bërjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore. Por, masakra nuk është te financat që ka dhënë shteti për to, por te shkeljet e pamëshirshme ligjore gjatë këtyre 15 viteve që ka bërë dhe bën MASHTI, në procesin e bërjes së këtyre teksteve shkollore. Viktima është cilësia e teksteve shkollore.