Lajme

Shtatë raste të dhunës në familje u raportuan brenda 24 orëve në Polici

12/10/2025 09:49
nga:Sh R

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orëshin e fundit.

Siç bëhet e ditur në raport, dy nga rastet janë në Prishtinë dhe nga një rast në Podujevë, Gjakovë, Malishevë, Mitrovicë dhe Leposaviq.

Të gjitha viktimat kanë qenë gra që janë sulmuar nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, vëllai e djali.

“Prishtinë 09.12.2025 – 11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është shqetësuar nga ish-bashkëshorti i saj. Sipas ankueses i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar, të njëjtit pas intervistimit janë liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”.

“Podujevë 08.12.2025 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ai përmes telefonit kishte kanosur bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.

“Prishtinë 09.12.2025 – 18:00. Është raportuar se bashkëshorti i viktimës ka shkaktuar dhunë në familje. I dyshuari është intervistuar, ishte nën ndikim të alkoolit dhe me vendim të prokurorit mbahet në ndalim policor deri në këndellje”.

“Gjakovë 08.12.2025 – 22:29. Është raportuar se viktima femër kosovare, ka pësuar dhunë nga ish-burri i saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje”.

“Malishevë 09.12.2025 – 13:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është sulmuar fizikisht nga ish-nusja e djalit të saj. Është intervistuar e dyshuara e cila më pas me vendim të prokurorit është liruar. Rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”.

“Mitrovicë 09.12.2025 – 15:00. Është raportuar se ankuesja femër kosovare, pas një mosmarrëveshje të çastit, vëllai i saj e ka sulmuar atë fizikisht. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

“Leposaviq 09.12.2025 – 13:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar nga djali i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.